I zënë pritë, i pr*në veshin dhe plagosën gjymtyrët/ Ja si paraqitet gjendja shëndetësore e Sokol Tomës në Traumë

Ish-kryetari i Partisë Demokratike në njësinë administrative të Dajçit në Lezhë, Sokol Toma, është dhunuar nga dy persona ende të paidentifikuar.

Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22:00, në autostradën Mamurras-Laç, pranë fshatit Sanxhak të Kurbinit.

Ai po kthehej nga Tirana drejt Lezhës kur i është prerë rruga nga persona të maskuar.

Autorët e kanë goditur me sende të forta dhe më pas janë larguar, duke i marrë edhe celularin.

Si pasojë e dhunës, 53-vjeçari ka pësuar dëmtime të rënda, përfshirë thyerje në këmbë dhe dëmtim të pjesës së veshit.

Pas ngjarjes, ai është gjetur në gjendje shoku nga kalimtarët dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Mjekët bëjnë me dije se ai është i vetëdijshëm dhe në gjendje të stabilizuar, por po mbahet nën monitorim intensiv për shkak të plagëve.

Ende nuk dihen motivet e sulmit, por dyshohet paraprakisht se ngjarja mund të ketë lidhje me aktivitetin e tij si ndërtues pallatesh. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.