Hantavirusi që qarkullon prej vitesh në Shqipëri! Mjeku Dasho zbulon brejtësin që e përhap: Shumë qytetarë mund ta kenë kaluar pa e ditur

Hantavirusi, një infeksion viral që në raste të rralla mund të shkaktojë komplikacione serioze, rezulton të jetë prezent edhe në Shqipëri prej dekadash.

Mjeku Erion Dasho, në një lidhje direkte për Ora News, ka sqaruar se virusi transmetohet te njerëzit përmes kontaktit me jashtëqitjet ose urinën e një lloji specifik miu të njohur si “miu qafëverdhë”.

Sipas tij, ky brejtës i vogël ka qenë rezervuari kryesor i hantavirusit në vend dhe rastet e para janë identifikuar në Shqipëri që në mesin e viteve ’80, kur u regjistrua një shpërthim me disa dhjetëra të infektuar.

“Është një mi i veçantë, jo të gjithë minjtë e arave. Është një mi i vogël që ka një qafë me ngjyrë të verdhë dhe njihet si miu qafëverdhë. Pikërisht ky ka qenë rezervuari i hantavirusit në Shqipëri”, tha mjeku.

Mjeku sqaron se, megjithëse virusi vazhdon të qarkullojë, numri i rasteve të diagnostikuara zyrtarisht çdo vit është shumë i ulët dhe numërohet me gishtat e dorës.

Kjo ndodh sepse shumica e personave të infektuar e kalojnë sëmundjen në formë të lehtë, pa e kuptuar se janë prekur nga hantavirusi.

Simptomat shpesh ngjasojnë me gripin sezonal apo virozat e zakonshme, ndaj shumë raste nuk identifikohen kurrë si hantavirus.

“Pjesa më e madhe e infeksioneve kalon si një infeksion viral i zakonshëm, atë që rëndom e quajmë grip i stinës ose virozë stine. Personat mund të infektohen dhe të shërohen pa e marrë vesh që kanë qenë të prekur nga hantavirusi”, u shpreh Dasho.

Sipas specialistëve, shqetësim mbeten rastet më të komplikuara, të cilat kërkojnë trajtim mjekësor dhe mund të sjellin pasoja më serioze për shëndetin. Megjithatë, format e rënda të sëmundjes vazhdojnë të jenë të rralla.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: