"Ju eleminoj" - Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Jemi në Navaricë të Sarandës, aty ku na presin baba e bir dhe një koleg i tyre, të cilët pasi kanë punuar prej gjashtë muajsh si druvarë, për llogari të pronarit Zudi Zotaj, ende nuk kanë marrë pagesën. Rruga për të shkuar në vendin ku ata punuan për muaj me radhë ishte e vështirë dhe në një terren të egër malor. Klodiani na tregon procesin e tij të punës, vuajtjen dhe stërmundimin në majë të malit për të siguruar të ardhura për familjen e tij, të cilët ishin në Mokër.

Milazim Hyko, një burrë rreth të 60-tat, tregon se për gjashtë muaj ka jetuar e punuar në malin e Navaricës, në një kasolle pa asnjë kusht higjiene, e rrënuar, me çati të prishur dhe mizat që ishin në çdo sekond bashkë me ta aty. Ngriheshin herët për të shkuar në punë, me shpresën se në përfundim të saj, Zudi Zotaj do u jepte pagesën dhe ata do të iknin në shtëpi. Por ja që nuk ndodhi kështu.

Puna e gjashtë muajve nuk u shpërblye, ata kërkonin çdo ditë djersën e tyre nga pronari, ndërsa ky i fundit nuk denjonte më as tu përgjigjej, duke i lënë në mal të vetëm, mes drurëve të prerë, kafshëve të egra, por mbi të gjitha pa asnjë lekë për të shtyrë një ditë të vetme dhe të demoralizuar për situatën ku ndodheshin.

Ne u ngjitem aty ku ata kishin stivuar qindra metër kubë dru, të cilët kishin mbetur aty pasi pronari nuk i kishte marrë. Pasi dëgjuam rrëfimet e tyre, u nisëm të takojmë pronar Zudiun, me shpresën për të gjetur një zgjidhje, për Klodianin, Milazimin dhe Viktorin. Babë e bir kishin 13.5 milionë lekë për të marrë, ndërsa Viktori, 5 milionë lekë.

Zoti Zotaj, shprehet se nuk ka pasur mundësi t’i paguajë për shkak se nuk ka pasur shitje dhe druri ka mbetur stok, por ky është një problem që duhet ta zgjiodhë ai, pasi punëtorët kanë punuar, e kanë kryer detyrën që kishin dhe tashmë duhen paguar.

Në diskutimin që nuk ishte fort i paqtë përfshihet dhe një person tjetër, që prezantohet si bashkë ortak me Zudiun, Zani Qulli. Ky i fundit nuk i kursen as kërcënimet ndaj tre burrave që nuk kërkonin lëmosh, por djersën e tyre. Gjatë përballjes, Milazimi tregon dhe një shenjë në bark, që sipas tij është vrarë në vendin e punës dhe Zudiu e kishte fshehur si ngjarje.

Pasi ua njohu borxhin edhe përpara nesh, Zudi Zotaj bën premtin se do ua shlyejë të gjitha detyrimet, brenda një afati që do të ishte shtatori, por gjatë kësaj kohe do ti paguante çdo herë shuma të ndryshme./Piranjat/