PËRJETË PA PATENTË KUSH KAPET I PIRË! Shoferët e rinj “ndalim qarkullimi natën” dhe kufizime shpejtësie
Shoferët që do të kapen duke drejtuar mjetin me 0.5 gram alkool në gjak do të humbin përjetë të drejtën e patentës, nësë janë përsëritës në këtë shkelje. Masa ndëshkuesuese është parashikuar në ndryshimet e Kodit Rrugore, ku përcaktohet ndalim qarkullimi natën dhe kufizim shpejtësie për shoferët e rinj.
Shoferët që do të kapen përsëritës duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit do të humbin përgjithmonë të drejtën për leje drejtimi.
Kjo është masa më e ashpër ndëshkuese e parashikuar në propozimet e Partisë Socialiste për ashpërsimin e Kodit Rrugor, sipas draftit tashmë të depozituar në Kuvend.
Aty parashikohet që çdo drejtues mjeti, i cili rezulton me mbi 0.5 gram alkool për litër gjak dhe që më parë është ndëshkuar për të njëjtën shkelje, të mos mund të pajiset më me patentë.
Rregulla më të forta vendosen edhe për shoferët e rinj, të pajisur me patentë të kategorisë “B” gjatë 24 muajve të fundit.
Zero do të jetë toleranca e alkoolit e përcaktuar në Kodin Rrugor për këtë kategori.
Shpejtësia maksimale e lejuar për shoferët me më pak se dy vite eksperiencë do të jetë 90 kilometra në orë në autostradë dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara.
Kush ka më pak se 24 muaj me patentë do ta ketë të ndaluar të drejtojë makinën nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues, i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 vjetësh, sipas propozimit të PS-së.
Mosrespektimi i këtyre kufizimeve do të ndëshkohet me gjoba nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh.
Në rast se drejtuesi kryen dy shkelje brenda një viti dhe humbet të paktën 10 pikë, periudha e kufizimeve do të zgjatet edhe me një vit tjetër.
Projektligji parashikon edhe masa të reja për drejtuesit pa leje drejtimi.
Personave që kapen duke drejtuar automjetin pa patentë do t’u shtyhet për një vit e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi, ndërsa për të miturit afati zgjatet me dy vite nga momenti që u lind kjo e drejtë.
Ashpërsimi i masave prek edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit, i cilësuar si një nga shkaqet kryesore të ngjarjeve në rrugët e vendit.
Drafti i PS-së parashikon ndalimin e përdorimit të celularit në dorë jo vetëm për shoferët, por edhe për drejtuesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 kubikë dhe monopatinave me motor.
Gjithashtu, ashpërsohen ndëshkimet për sjelljet agresive në rrugë dhe manovrat e rrezikshme në zonat urbane.
Nisma e PS-së për ashpërsimin e Kodit Rrugor erdhi pas aksidentit tragjik në ish-Kënetën e Durrësit, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, pasi u përplasën nga një shofer që drejtonte mjetin me shpejtësi në zonë të banuar dhe nën ndikimin e alkoolit.
