Fundoset anija pranë Androsit/ Greqia arreston kapitenin dhe oficerin pas përplasjes me shkëmbin gjatë rrugës drejt Ukrainës

Një anije mallrash është fundosur në ujërat pranë ishullit Andros në Greqi, ndërsa dy drejtues të ekuipazhit janë arrestuar pas ngjarjes.

Anija “Corsage C”, me flamur të Vanuatu-s, ishte nisur nga Kroaci dhe kishte bërë një ndalesë edhe në Shqipëri, përpara se të vazhdonte drejt Ukrainë.

Gjatë lundrimit në veri të Androsit, ajo u përplas me një shkëmb dhe më pas u fundos.

Në bord ndodheshin 9 anëtarë të ekuipazhit, të cilët arritën të shpëtonin. Disa prej tyre u nxorën nga deti, ndërsa të tjerë u gjetën në breg shkëmbor dhe u transportuan në port në gjendje të mirë shëndetësore.

Pas incidentit, autoritetet greke arrestuan kapitenin 52-vjeçar dhe oficerin 32-vjeçar të anijes.

Ata akuzohen për shkelje që lidhen me neglizhencën dhe shkaktimin e rrezikut që çoi në fundosjen e mjetit lundrues.

Në zonë u angazhuan disa mjete të Rojës Bregdetare dhe një helikopter për operacionin e shpëtimit. Paralelisht, u morën masa për të parandaluar ndotjen e detit, pasi ekziston rreziku i rrjedhjes së karburantit nga anija e fundosur.

Hetimet për shkaqet e plota të ngjarjes po vijojnë nga autoritetet portuale në Andros.