Kryen krime lufte në Gjakovë, Prokuroria e Kosovës ngre aktakuzë në mungesë ndaj 8 personave

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 8 personave, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Aktakuza, sipas mediave, është dhënë për shtetasit me inicialet M.K, V.M., D.R., Z.D., C.B.,M.I.,S.S. dhe S.K për “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nga 24.03.1999 deri më 31.03. 1999, në qytetin e Gjakovës, gjatë një operacioni të gjerë, duke vepruar në bashkëkryerje dhe në koordinim me struktura policore, ushtarake dhe paramilitare, kanë kryer vrasje, dëbim të popullsisë civile, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së tyre.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë se gjatë këtij operacioni të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe janë vrarë 65 civilë dhe janë zhdukur 12 të tjerë.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë mbajtjen e gjykimit në mungesë, meqenëse të pandehurit thuhet se janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.