“Lufta ishte zgjedhje e Washingtonit, jo detyrim”/ Zëdhënësi i Jashtëm iranian replika ndaj SHBA-së: Mbështetemi te vendi jonë

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka thënë se nëse Shtetet e Bashkuara janë serioze për diplomacinë, duhet të shfrytëzojnë mundësinë dhe të tregojnë një minimum vullneti të mirë.

Në një intervistë për median shtetërore iraniane Press TV, ai u shpreh se komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër veprimet e SHBA-së dhe pret një qasje më konstruktive.

Sipas tij, konflikti me Iranin ishte një “zgjedhje e SHBA-së” dhe pasojat e tij janë ndier në nivel global.

Baghaei kritikoi edhe ndryshimet në arsyetimet e SHBA-së për konfliktin, duke thënë se fillimisht u përmend një kërcënim i afërt, më pas u mohua, ndërsa më vonë lufta u lidh me programin bërthamor të Iranit.

Ai përsëriti qëndrimin se programi bërthamor iranian është paqësor dhe se pretendimet për të kundërtën janë përdorur si justifikim për luftë.

Ai foli edhe për rolin e OKB-së, duke thënë se Këshilli i Sigurimit nuk ka arritur të reagojë në mënyrë efektive në disa kriza ndërkombëtare, përfshirë Gazën, Libanin dhe Iranin, duke e quajtur këtë një dështim të sistemit aktual. Sipas tij, në këto kushte, vendet duhet të mbështeten tek kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Sa i përket Ngushticës së Hormuzit, Baghaei tha se Irani ka të drejtë të marrë masa për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe se veprimet e tij janë brenda ligjit ndërkombëtar. Ai shtoi se Irani po diskuton me Omanin për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve në këtë rrugë detare.