“Po zbrazet thesari i shtetit”/ Magyar akuzon qeverinë e Orbanit në largim për shpenzime të pakontrolluara

Kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Magyar, ka akuzuar qeverinë në largim të Viktor Orbán se në ditët e fundit të mandatit po synon të shpenzojë në mënyrë të pakontrolluar dhe të rëndojë financat e shtetit.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka bërë të ditur se një vendim qeveritar i siguruar prej tij, sipas pretendimeve, hap rrugë për rritje të angazhimeve financiare dhe heqje të kontrolleve mbi prokurimet publike.
Magyar shprehet se situata mund të çojë në rritje të deficitit buxhetor deri në 6.8% të PBB-së, duke kaluar parashikimet e mëparshme të qeverisë.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe ministrive që të mos marrin angazhime të reja financiare dhe të kufizojnë shpenzimet vetëm në funksionimin bazë të shtetit deri në tranzicionin e pushtetit.
Nga ana tjetër, qeveria në largim i ka mohuar akuzat. Përfaqësues të kabinetit të kryeministrit kanë bërë të ditur se po kryhen vetëm pagesa të miratuara më parë dhe se nuk janë krijuar detyrime të reja pas zgjedhjeve.

