"DESTINACIONI MË I BUKUR NË EVROPË"/ Liqeni i Ohrit renditet i pari nga revista e njohur “Time Out”

Liqeni i Ohrit, një nga pasuritë më të vjetra natyrore në Evropë, është vlerësuar si destinacioni më i bukur në kontinent nga gazetarët e turizmit të revistës “Time Out”.

I shtrirë në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ky liqen 1.4 milion vjeçar ofron një peizazh të rrallë dhe një përvojë të qetë larg turmave.

Ujërat e kristalta dhe biodiversiteti i pasur e bëjnë atë një destinacion të preferuar për not, lundrim dhe peshkim. Sipas Shërbimit Gjeologjik Britanik, liqeni është më i vjetri në Evropë dhe ndër më të pasurit me specie, me mbi 300 lloje endemike.

Në anën shqiptare, turistët gjejnë peizazhe më të egra dhe fshatra të qeta si Lini, i njohur për mozaikët dhe hapësirat piktoreske për kamping pranë ujit.

Ndërsa destinacione si Liqeni i Komos në Itali tërheqin miliona turistë çdo vit, ekspertët sugjerojnë se Ohri ofron një alternativë më të qetë dhe më autentike.

Në listën e “Time Out” përfshihen edhe destinacione të tjera si Alberobello në Itali, Kopshtet Kew në Londër dhe Casa Batlló në Barcelonë.

Ky vlerësim e vendos Liqenin e Ohrit në qendër të hartës turistike evropiane, duke e konfirmuar si një nga perlat natyrore më të rëndësishme të rajonit.

Interesi në rritje i turistëve të huaj pritet të sjellë më shumë zhvillim për zonën dhe ekonominë lokale.

Autoritetet shpresojnë që ky vlerësim ndërkombëtar të nxisë investime të reja dhe promovim më të madh të destinacionit.