Kërpudhat “magjike” mund të ndihmojnë në lënien e duhanit
Kërkimet e fundit shkencore po hedhin dritë mbi një qasje të re në luftën kundër varësisë nga duhani, përdorimin e substancave psikedelike si psilocibina, përbërësi aktiv i kërpudhave të ashtuquajtura “magjike”, sipas BBC.
Kjo substancë mund të ndihmojë njerëzit të ndryshojnë mënyrën si e perceptojnë jetën dhe zakonet e tyre, duke e bërë më të lehtë braktisjen e cigareve.
Duhani mbetet një nga varësitë më të forta dhe më të përhapura në botë.
Nikotina konsiderohet po aq varëse sa droga të forta si kokaina apo heroina.
Sipas të dhënave ndërkombëtare edhe pse rreth 70% e duhanpirësve shprehin dëshirën për ta lënë, vetëm një përqindje e vogël, më pak se 10% , arrin ta bëjë këtë me sukses çdo vit.
Në këtë kontekst, shkencëtarët po eksplorojnë alternativa të reja.
Një studim i publikuar së fundmi tregoi se terapia psikologjike e kombinuar me një dozë psilocibine mund të jetë shumë më efektive se metodat tradicionale si patch-et me nikotinë. Pas gjashtë muajsh, 52% e pjesëmarrësve që kishin marrë psilocibinë kishin lënë plotësisht duhanin, krahasuar me vetëm 25% të atyre që përdorën terapi me nikotinë.
Rezultatet mbështeten edhe nga studime të mëparshme dhe dëshmi të pjesëmarrësve, të cilët raportojnë ndryshime të thella në mënyrën si e shohin jetën.
Shumë prej tyre përshkruajnë përvojën si një moment reflektimi intensiv, ku kuptojnë se duhani nuk përputhet më me vlerat apo prioritetet e tyre personale.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto gjetje janë ende në faza të hershme dhe kërkojnë verifikim në studime më të mëdha dhe më të larmishme. Përdorimi i substancave psikedelike mbetet i kufizuar dhe i rregulluar rreptësisht në shumicën e vendeve, për shkak të efekteve të tyre të forta në tru dhe perceptim.
Shkencëtarët besojnë se psilocibina vepron duke rritur “neuroplasticitetin”, duke krijuar një dritare të përkohshme ku truri bëhet më i hapur ndaj ndryshimit. Kjo i lejon individët të “çmësojnë” zakonet e vjetra dhe të ndërtojnë modele të reja sjelljeje, sidomos kur ndërthuret me terapi psikologjike si ajo konjitive-bihejviorale.
Në të njëjtën kohë, studiuesit po analizojnë të dhëna të reja nga imazheria e trurit për të kuptuar më mirë mekanizmat që qëndrojnë pas këtij efekti. Ata shpresojnë se në të ardhmen kjo metodë mund të bëhet një mjet i rëndësishëm për trajtimin e varësive dhe problemeve të tjera të shëndetit mendor.

