Reporterët pa Kufij ulën me 3 vende Shqipërinë për lirinë e medias, Rama: MIA ka marrë vlerësim nga SIGMA-OECD

Shqipëria ka humbur tre vende në renditjen globale për lirinë e medias, sipas raportit të publikuar nga Reporterët pa Kufij. Pas publikimit të raportit nga 'Reporterët pa Kufij', ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili ka publikuar një tjetër raport ndërkombëtar që, sipas tij, jep një vlerësim pozitiv për institucionet shqiptare në këtë fushë.

Rama i është referuar raportit të SIGMA-OECD, duke nënvizuar se Agjencia për Media dhe Informim (MIA) ka marrë një vlerësim të lartë për rolin e saj në shërbim të mediave dhe publikut.

Sipas kreut të qeverisë, pavarësisht kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme ndaj këtij institucioni, raporti ndërkombëtar tregon një realitet ndryshe, të bazuar në analiza profesionale dhe fakte konkrete. 

Reagimi i plotë: 

Deri dje e bombarduan dhe përbaltën nga të katër anët, ca nga brenda e ca nga jashtë, duke vënë kujën e duke harxhuar bojë kot, për raportet e tyre të pavarura jo vetëm nga qeveria, po edhe nga faktet…

Por ja që e vërteta qenkesh ndryshe, shumë ndryshe, sepse kjo Agjencia për Media dhe Informim e qeverisë, e pagëzuar në lindjen e saj me bombat e me baltën e pushtetit të katërt, luaka një rol krejt tjetër, e na qenka në shërbim cilësor të mediave dhe të publikut natyrisht. 

Dhe këtë nuk po e them më unë. Nuk e thotë as qeveria e një vendi që targetohet rëndom dhe jo rrallë fare kuturu, për lirinë e shtypit. Këtë e thotë raporti i SIGMA-OECD, një ndër ato burime institucionale ndërkombëtare, reputacioni i fortë i të cilave është krijuar mbi respektin për faktet, jo mbi perceptimet, mbi analiza profesionale, jo mbi paragjykime arbitrare, mbi vlerësime objektive të të vërtetave, jo mbi amplifikime subjektive të gjysëm të vërtetave! Urime MIA-s (Media and Information Agency) dhe përgëzime të gjithë skuadrës së saj, për këtë vlerësim të stërmerituar. E vërteta vonon, po nuk harron.