VIDEO/ Shkeli mbi stemën e Atletico Madrid, Simeone sherr me White

Gjysmëfinalja mes Atletico Madrid dhe Arsenal nuk pati spektaklin e përballjes tjetër europiane, por u karakterizua nga tension i lartë dhe polemika të shumta.

Sfida përfundoi 1-1, ndërsa episodi kryesor nuk lidhej vetëm me dy penalltitë e akorduara dhe një tjetër shumë të diskutuar që nuk u dha, por edhe me një incident të pazakontë në fundin e pjesës së parë.

Ndërsa skuadrat po drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes në stadiumin Civitas Metropolitano, situata u tensionua papritur.

Shkak u bë një gjest i mbrojtësit anglez Ben White, i cili shkeli mbi stemën e madhe të Atletico-s të vendosur pranë vijës anësore, një simbol që për lojtarët dhe tifozët vendas konsiderohet “i shenjtë” dhe zakonisht shmanget me kujdes.

Veprimi i White u interpretua si provokim i qëllimshëm. Reagimi ishte i menjëhershëm nga Giuliano Simeone, i cili e shtyu anglezin dhe i kërkoi të largohej nga stema.

Situata u përshkallëzua shpejt, ndërsa lojtarë të tjerë si Gimenez dhe Koke ndërhynë për të mbrojtur simbolin e klubit.

Në skenë u fut edhe trajneri Diego Simeone, i cili, ndonëse tentoi të qetësonte situatën, nuk e fshehu irritimin ndaj White. Përplasja përfundoi me ndërhyrjen e arbitrit, që ndëshkoi të dy lojtarët me karton të verdhë për sjellje antisportive.