ANALIZA/ PSG-Bayern një ode për futbollin

Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, pranoi menjëherë se nuk e shijoi nga tribunat ndeshjen e paharrueshme të Ligës së Kampionëve kundër Paris Saint-Germain, por ai do të kthehet në stol për ndeshjen e kthimit, ku të dyja ekipet synojnë të shkojnë përsëri në gol.

“Jo, nuk e shijova”, tha Kompany, i cili u pezullua për ndeshjen, duke qeshur kur u pyet nga trajneri i PSG, Luis Enrique, në një shkëmbim të shkurtër fjalësh në brendësi të ”Parc des Princes”.

Stadiumi kishte parë më parë një gjysmëfinale të jashtëzakonshme ku Bayern udhëhoqi 1-0, pastaj ishte në disavantazh 5-2, por u rikthye për të humbur vetëm 5-4, që do të thotë se ka ende shumë për të luajtur javën e ardhshme në Mynih.

Kompany shtoi në konferencën për shtyp se “nuk e shijova këtë përvojë. Emocionet në fushë janë të ndryshme. Por, e shijova pak në nivelin e lartë se si ekipi im u rikthye”.

Ndeshje për të gjithë

Fituesit e titullit PSG kryesuan 3-2 në pjesën e parë, duke e bërë gjysmëfinalen e parë me pesë gola në një pjesë të parë. Nëntë golat janë barazuar vetëm një herë më parë në një ndeshje gjysmëfinale, në të kaluarën e largët kur Eintracht Frankfurt fitoi 6-3 ndaj Rangers në vitin 1960.

“Ishte e pabesueshme, nuk kam fjalë. Mendoj se ishte ndeshja më e mirë që kam përjetuar ndonjëherë si trajner. Të dyja ekipet donin të luanin, të dyja kanë cilësi të jashtëzakonshme. Mendoj se të gjithë e shijuan këtë ndeshje”, tha Enrique.

Vitinha shtoi se “ishte një ndeshje fantastike futbolli. Ne e adhuronim dhe mendoj se të gjithë tifozët e futbollit ishin të lumtur ta shikonin”.

Kompany tha se “kur dy ekipe hyjnë në një ndeshje si kjo me këtë ide, atëherë kjo është pikërisht ajo që mund të ndodhë. Unë tashmë kisha një ndjesi se një ndeshje si ajo ishte e mundur”.

Reagimet e medias në Evropë e pasqyruan këtë, ndërsa gazeta sportive spanjolle AS e quajti ndeshjen “një ode për futbollin”, ”Daily Mail” e Anglisë tha “Uau, thjesht uau”, dhe ”Gazzetta dello Sport” e Italisë deklaroi: “PSG dhe Bayern, ju jeni të pabesueshëm”.

Sulme të klasit të lartë

Ndeshja i përmbushi plotësisht pritshmëritë e saj, pasi vuri përballë njëra-tjetrës dy ekipet, ndoshta më të mirat dhe më sulmuese në Evropë. PSG e përmirësoi numrin e golave ​​të tyre në garë në 43 dhe Bayern tani ka 42, të dyja afër rekordit të Barcelonës prej 45 golash nga sezoni 1999-00.

Ky rekord mund të jetë nën kërcënim në Mynih kur sulmet e frikshme të Khvicha Kvaratskhelia, Ousmane Debélé (të cilët shënuan nga dy gola secili) dhe Désiré Doué në skuadrën e PSG-së dhe treshja e Bayernit, Harry Kane, Michael Olise dhe Luis Díaz (të cilët shënuan të gjithë atë natë) takohen përsëri.

“Nuk do ta ndryshojmë filozofinë tonë”, u zotua Dembélé, megjithëse pranoi gjithashtu se “ndoshta mund ta kishim kontrolluar më mirë në 5-2”.

Mesfushori i Bayernit, Joshua Kimmich, zbuloi se po pyeste veten “çfarë po ndodh këtu”.

Rikthimet e Bayernit

Kthimi i Bayernit mund të jetë vendimtar në rrugën drejt finales së 30 majit në Budapest, ku ata duan të ngrenë trofeun për herë të shtatë dhe ndoshta të kompletojnë një tripletë të tretë në historinë e klubit.

Edhe pse nuk fituan këtë herë, Bayernit ka treguar se i kthen ndeshjet, kur kemi parasysh se fituan 3-2 në Freiburg nga 2-0 disavantazh në minutën e 81-të dhe fituan edhe 4-3 në Mainz nga 3-0 disavantazh në pjesën e parë në Bundesligë dhe fituan 4-3 pasi ishin në disavantazh 3-2 deri në minutën e 88-të në çerekfinale kundër Real Madridit.

“Ne i kemi përballuar mirë pengesat sepse nuk i lejojmë gjëra të tilla të na ndalin – ne thjesht vazhdojmë”, tha mbrojtësi Jonathan Tah.

“E patë që mund të shënojmë shumë gola. Sigurisht, pësuam shumë sonte, por në fund është vetëm një diferencë prej një goli. Do të shkojmë në ndeshjen e kthimit me besim të plotë, do të japim gjithçka dhe pastaj do të duam të jemi në finale”, shtoi ai.

Kompany tha se “kemi një javë tani për të punuar mbi gjërat që duhet të përmirësojmë. Besimi është 100% aty, ashtu si edhe ndjenja. Kemi nevojë për tifozët tanë dhe mbështetjen e tyre me të njëjtin pasion që patëm kundër Madridit”.

PSG i shkakton Bayernit një humbje të rrallë

PSG megjithatë mund ta mbajë kokën lart sepse i dha fund një serie prej pesë humbjesh radhazi në Ligën e Kampionëve kundër Bayernit.

Ata u bënë vetëm skuadra e tretë që mposhti Bayernin, i cili po luante ndeshjen e 50-të zyrtare këtë sezon, të tjerët ishin Arsenali në fazën e ligës në vjeshtë dhe Augsburg në Bundesligë në janar.

“Sigurisht që jemi të lumtur që fituam dhe nuk duhet të harrojmë. Bayerni ka humbur vetëm tre ndeshje këtë sezon. Kjo tregon se sa mirë luajtëm sot”, tha Enrique.

Vitinha shtoi se “shkojmë në Mynih me të njëjtën dëshirë dhe, mbi të gjitha, me të njëjtin qëllim. Të luajmë mirë dhe të fitojmë, siç bëjmë gjithmonë”./ATSH