Shkoi të takonte një prej të dënuarve në burgun e Fushë Krujës, shtetases i gjendet k*nabis në xhep të xhupit

Një person është ndaluar pas një kontrolli në burgun e Fushë Krujë.

Sipas informacionit, një shtetase që kishte shkuar për takim me një të dënuar është kapur me një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike në xhepin e xhupit. Lënda dyshohet të jetë kanabis.

Pas konstatimit, lënda është sekuestruar dhe është përgatitur dokumentacioni përkatës për rastin. Për vijimin e veprimeve është njoftuar edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Ndërkohë, po kryhen kontrolle edhe në ambientet e të dënuarit për të verifikuar nëse ka sende të tjera të ndaluara.

NJOFTIMI I POLICISË:

Goditet tentativë për futjen e sendeve të ndaluara në IEVP Fushë Krujë

Në IEVP Fushë Krujë, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj familjarëve, u evidentua një rast i tentativës për futjen e sendeve të ndaluara në institucion.

Nga kontrolli fizik i shtetases me iniciale M.D., e cila kishte ardhur për takim me të dënuarin R.D., u konstatua në xhepin e xhupit një qese e vogël me lëndë të dyshuar narkotike (kanabis).

Menjëherë pas konstatimit:
* u bë bllokimi i lëndës së dyshuar;
* u hartua dokumentacioni përkatës;
* u njoftua Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), për vijimin e veprimeve procedurale.

Ndërkohë, po ushtrohet kontroll në ambientet e të dënuarit për evidentimin e mundshëm të sendeve të ndaluara.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e angazhuar maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare, duke goditur çdo tentativë për futjen e sendeve të ndaluara.