Një vit nga shpallja zonë e mbrojtur e Karaburun-Sazan, shtëpi e 36 specieve me rëndësi ndërkombëtare

Parku Kombëtar Detar Karaburun–Sazan shënon përvjetorin e shpalljes si zonë e mbrojtur, një prej hapave më të rëndësishëm në ruajtjen e ekosistemeve detare në Shqipëri.

Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj solli në vëmendje sot vlerat e veçanta të këtij parku, i cili shtrihet përgjatë gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit, duke ofruar peizazhe spektakolare me shpella, kanione dhe ujëra të kristalta.

Nën sipërfaqen detare të parkut gjendet një biodiversitet i pasur, ku përfshihen specie të rralla dhe të mbrojtura si foka mesdhetare, delfini dhe breshka e detit, duke e kthyer këtë zonë në një nga pasuritë më të rëndësishme të faunës detare të vendit.

“Parku Kombëtar Detar Karaburun–Sazan konsiderohet një thesar natyror me rëndësi të veçantë për ruajtjen e biodiversitetit dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në vend”, theksoi Jaupaj.

Ekosistemi ujor/detar Karaburun-Sazan është zona e parë dhe e vetme detare e mbrojtur në Shqipëri.

Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare, ku mes tyre janë specie që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara.

Ndërsa pjesa e bregdetit shkëmbor paraqet peizazhe me cilësi të jashtëzakonshme panoramike, veçanërisht nga mjetet e lundrimit, kur vizitohen shpellat, kanionet dhe gjiret e vogla, p.sh. shpella e Haxhi Aliut dhe shpella e Duk Gjonit.

Peizazhet nënujore janë gjithashtu të një cilësie të jashtëzakonshme, me shkëmbinjtë, shpellat nënujore, shoqërimet e faunës dhe florës detare, dhe në disa vende të shoqëruara edhe me mbetje arkeologjike.