Përplasja Trump-Starmer nuk zbeh vizitën e Charles III në SHBA
Vizita shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga mbreti Charles III nuk do të zbehet nga marrëdhëniet e tensionuara me kryeministrin britanik Keir Starmer, ka lënë të kuptohet presidenti amerikan Donald Trump.
Mbreti Charles u përshkrua si “i mrekullueshëm” nga presidenti Trump, i cili tha se mezi pret “thjesht të jetë me të”, gjatë një interviste telefonike të improvizuar për “Sky News”.
Starmer theksoi se vizita katërditore do të zhvillohej sipas planit, gjatë seancës së djeshme në parlament, pasi ai u sfidua sërish nga lideri i liberal-demokratëve, Ed Davey për ta anuluar atë.
Lideri liberal-demokrat paralajmëroi se “presidenti Trump është një nga njerëzit më të paparashikueshëm që kemi parë në skenën botërore dhe shpresoj që ai të mos e vërë në pozitë monarkun tonë”.
Marrëdhëniet mes kryeministrit dhe liderit amerikan kanë qenë të tensionuara, me presidentin që e ka cilësuar qasjen e Britanisë së Madhe të luftës me Iranin si “të tmerrshme” dhe ka sulmuar vazhdimisht Starmerin.
Kur Trump u pyet nga korrespondenti i “Sky News”, Mark Stone, nëse “marrëdhënia e tensionuar me kryeministrin Starmer mund ta zbehë vizitën mbretërore”, ai u përgjigj “aspak”.
“E njoh Mbretin prej kohësh dhe ai nuk është i përfshirë në atë proces”, tha Trump.
Diplomacia e butë e monarkisë konsiderohet arma më e fortë në mbështetje të interesave të jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe në Downing Street shpresohet që Charles III mund të ndihmojë në forcimin e marrëdhënies speciale mes Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së.
Vizita historike, e para e mbretit në SHBA si monark, do të shënojë 250-vjetorin e pavarësisë amerikane dhe do të hapë festimet në të gjithë vendin, ku Charles III dhe Camilla do të marrin pjesë në një festë të madhe.

