Likaj: Ja zakoni i rrezikshëm që po i kthen makinat në armë vdekjeprurëse në rrugët e Shqipërisë
Bilanci i aksidenteve rrugore në Shqipëri vazhdon të rëndohet, teksa akset kryesore të vendit po kthehen në skena tragjedish me pasoja serioze për jetën e qytetarëve.
Sipas ekspertit të sigurisë rrugore, Fadil Likaj, shkaku kryesor nuk qëndron vetëm te infrastruktura, por te një sërë faktorësh që lidhen drejtpërdrejt me sjelljen e drejtuesve të mjeteve.
Eksperti Likaj në studion e lajmeve në “Ora News” theksoi se mungesa e ndërgjegjësimit të shoferëve është problemi themelor. Shumë prej aksidenteve fatale të ndodhura së fundmi kanë ardhur si pasojë e parakalimeve të gabuara dhe mos rregullimit të shpejtësisë, gjë që çon në humbjen e kontrollit të automjetit.
Sipas tij, drejtuesit e mjeteve shpeshherë neglizhojnë përshtatjen e shpejtësisë me kushtet konkrete të rrugës, si gjendja teknike e saj apo fushëpamja e kufizuar gjatë natës.
“Drejtuesit e mjeteve mendojnë se e zotërojnë mjetin, por aksidenti ndodh në të qindtën e sekondës. Në momentin e humbjes së kontrollit, mjeti nuk i përgjigjet më komandave. Ata nuk e kuptojnë akoma se po drejtojnë një armë, e cila vret jo vetëm ata, por edhe përdoruesit e tjerë të rrugës”, shprehet Likaj.
Një tjetër fenomen shqetësues i identifikuar nga eksperti është "instinkti" i rrezikshëm që kanë zhvilluar shoferët shqiptarë për të qarkulluar vetëm në korsinë e majtë.
Kjo sjellje, sipas tij, ka lindur si pasojë e gjendjes së keqe të korsisë së djathtë në shumë rrugë interurbane, e cila shpesh është e mbushur me gropa dhe deformime. Kjo i ka detyruar shoferët të lëvizin në korsinë e majtë.
Megjithatë, kjo sjellje tashmë është kthyer në një "kulturë" dhe një zakon të rrezikshëm që vërehet edhe në segmentet rrugore të reja dhe me standarde bashkëkohore. Likaj sjell si shembull konkret segmentin nga ish-Sheshi Shqiponja deri te mbikalimi i Kasharit, një rrugë e re me katër korsi për sens lëvizje.
“Edhe në këtë aks të ri, korsia e djathtë është pothuajse bosh, ndërsa e majta kthehet në autokolonë. Kjo vërteton se instinkti i shoferëve ka ndryshuar për keq”, analizon ai.
Kjo situatë jo vetëm që krijon trafik të panevojshëm, por rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve. Thirrja e ekspertëve është për një ndërhyrje të menjëhershme në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve, pasi përmirësimi i infrastrukturës nuk mjafton për të parandaluar tragjeditë në rrugë, për sa kohë mentaliteti dhe kultura e drejtimit të mjetit mbeten problematike.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË

