At*ntati në Shkozet/ Arjan Ndoja në GJKKO: S’i kam borxh askujt, nuk i kam hyrë në hak kujt dhe s’i kam merituar ato pl*mba
Arjan Ndoja: Në 2019 kam qenë prokuror në Durrës, përveç anathemimit që më kanë bërë figura të larta politike nuk kam pasur asnjë lloj problematike tjetër, kam pasur në pronësi një automjet familjar që ishte në emër të bashkëshortes time.
Një muaj para se të ndodhte një ngjarje që e ka përdorur shtetasi i ndjerë Andi Maloku.
Në datën 1 nëntor 2019 kam dalë nga shtëpia si zakonisht në orën 7 të mëngjesit, kam shkuar tek puna me Andi Malokun. Rreth orës 12 kam dalë nga puna dhe jam zhvendosur në drejtim të lokalit me emrin Koral pasi kam qenë i ftuar për drekë me disa persona, mes tyre Aleksandër Laho.
Nga ora 13:00 deri rreth orës 16:00 kam qëndruar aty, kemi qenë me dy makina, jemi zhvendosur në drejtim të urës së Dajlanit. Në drejtim të automjetit ishte Andi Maloku pasi unë nuk ndihesha mirë. Unë ndodhesha në vendin e parë dhe Aleksandër Laho ishte mbrapa, ai kishte dhe makinën e tij por erdhi me mua për të bërë muhabet.
Kur kam dalë nga lokali deri kur ka ndodhur ngjarja s’kam konstatuar asgjë të dyshimtë.
Kur kemi kaluar gomisteria që nis kilometri i parë i autostradës deri tek ura e Shkozetit kanë nisur krismat, automjeti im ishte në karrexhatën ngjitur me trafikndarësen. Në momentet e para nuk e kam kuptuar se ishin të shtëna me armë zjarri. Krismat nuk kanë qenë me breshëri, kanë qenë të ndara. Kanë qenë dy armë pasi bënin zhurma të ndryshme dhe intervali i kohës i gjuajtjes. Që kur kanë filluar krismat deri kur automjeti ka dalë nga rruga ka zgjatur rreth 20 sekonda. Kur u plagos i ndjeri Andi Maloku ai i dha gaz makinës dhe kemi goditur një nga barrierat e rrugës dhe kemi përfunduar jashtë rruge. Kur kemi dalë nga rruga dhe ka ndaluar se ka ngec makina në kanal vetëm Andi Maloku ishte më i vetëdijshëm dhe ai ka marrë babin në telefon dhe i ka thënë babë na kanë gjujt. Kur kam tentuar të dal nga makina kam humbur ndjenjat dhe nuk më kujtohet më. Ndërsa Andi Maloku u rrëzua kur hapi derën sepse mesa duket plumbin e kishte në shtyllë kurrizore.
Nuk kam mësuar as më pas idenë se kush na ka qëlluar. Për Andi Malokun kam dërguar njerëzit e mi që të interesoheshin për gjendjen e tij shëndetësore. Familjarët nuk dinë asgjë por as i ndjeri nuk ka parë gjë se ata nuk kanë qëlluar paralel, kanë qëlluar nga mbrapa.
Përveçse nga ju si organ prokurorie, apo edhe nga vendimet gjyqësore, nuk ka ardhur askush të na takojë dhe të na thotë se ka ndodhur kjo gjë e arsyen pse e kanë bërë këtë gjë. Të pandehurit e këtij procesi por gjithashtu edhe të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur, unë nuk i njoh, Plaurent Dervishin e njoh si emër se ka pasur një procedim në Durrës.
Unë pushimet në 2019 i kam bërë në Shëngjin pasi kam një shtëpi atje.
Unë përgjithësisht për drekë ulesha tek Koral dhe tek një lokal Kamelia tek Shkëmbi i Kavajës. Përpara ngjarjes unë s’kam parë asgjë të dyshimtë. Për shkak të sulmeve politike unë kam pasur dyshimet mos më kanë vënë shërbime të posaçme të policisë, për shkak të vettingut të famshëm, që shumica prej jush e kanë kaluar me sukses.
Nuk kam pas dyshime zoti prokuror se po të kisha pasur dyshime nuk do rrija në rrugë që të mësonin dorën në mua. Erjol Halilejn kur e kam parë në gjyq jam kujtuar që e kam pas parë në Durrës.
Tek unë nuk ka ardhur askush për të na takuar, por di që tek familja e Andit kanë vajtur 3-4 veta për t’u takuar. Por më mirë e di babi i Andit, që ju e keni edhe dëshmitar. Mua s’më ka sjellë askush porosi. Rastësisht në gjykatën e Durrësit kam takuar xhaxhin e Eriol Halilajt, më tha që kishte dashtë të vinte të më takonte, i thashë pse nuk vjen, më tha por ja nipi im. I thashë po çfarë di ti për nipin.
Prokurori: Dor Shabën e njihni, të ka sjellë porosi.
Arjan Ndoj u përgjigj: Unë e njoh, por nuk më ka sjellë asnjë porosi.
Nuk kam asnjë pasur në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Vullent Muçën se njoh, por nëse bëhet fjalë për Vullnet Muharremin vëllain e Pëllumb Muharremin e njoh. Në makinën time përveçse atë ditë s’ka udhëtuar ndonjëherë. Por takime kemi pasur por s’kemi pasur asnjë lidhje biznesi me të.
Halit Valterin e njoh por nuk e kam takuar ndonjëherë për punën e ngjarjes, di që i ka ardhur një CD nga babi i Andi Malokut, që të transmetonte pamjet e makinës që u gjet në Shkafan.
Kur kam dalë në punë, kam takuar Basri Meçen krejt rastësisht, i kam thënë Basirit që më ka ardhur një informacion që këtë ngjarje ma ka bërë Plaurent Dervishi, dhe që djali jot mund të ketë qenë në dijeni. I kam thënë hiqe djalin nga Shqipëria deri sa të sqarohen rrethanat e ngjarjes. I kam thënë kur të krijoj bindjen time për këtë gjë do të ta them, që të marrësh masat e tua. Unë edhe sot ja ku jam sepse nuk i kam borxh askujt.
Dëshmon Erjon Alibej: Plaurent Dervishaj e njoh prej vitit 2019, përpara se t’i bëhej atentat në muajin mars ose fillim prilli. Jemi takuar tek “Liri i Cigareve”, ka fabrikë në Librazhd. Plaurenti erdhi me një djalë tjetër, më vonë e identifikova që ishte “Mond Çekiçi”. Ishte me automjet BMW seria 7, bojëqielli e errët. Arsyeja e takimit ishte për ngjarjet që i kishin ndodhur familjes time. Unë po interesohesha se kush i kishte kryer krimet ndaj familjes time. Plaurenti njihej si “Lenti”. Kam patur aplikacion Encho Chat dhe Sky Ecc. Pseudonimet e mia kanë qenë “Noku” dhe “Kumi”. Plaurenti kishte të dyja platformat. Te Sky e kishte pseudonimin “Barcelona”. Kemi komunikuar kur atij iu bë atentati në Durrës. I them shyqyr që shpëtove. Çfarë merrja unë vesh për atentatin ndaj tij, ia thoja atij. Ai e gjykonte vetë se çfarë vlerësonte si informacione. Në takimin me Plaurentin, emrin e Redjan Rraja e kam dëgjuar për herë të parë kur iu bë atentat një prokurori. Kur u bë atentati e dija mirë që e kishte bërë ai. Kur e pyes Plaurentin dhe i them që po si është e mundur që u zbulua kaq shpejt autori, emrin e Redjan Rrajës ma ka thënë Plaurenti. Më thotë po, e kam shok dhe i është futur çunave me zor në makinë, donte të merrte pjesë dhe ai.

