Më shumë efektivitet kundër kancerit! Imunoterapia ndihmon trupin të luftojë qelizat kancerogjene
Imunoterapia po revolucionarizon trajtimin e kancerit duke përdorur sistemin imunitar për të luftuar sëmundjen. Edhe pse jo të gjithë pacientët përfitojnë, rezultatet janë premtuese dhe po hapin rrugë për trajtime më efektive.
Pas gati një shekulli zhvillimi, trajtimet që forcojnë sistemin imunitar për të luftuar kancerin po arrijnë kulmin e tyre, duke shpëtuar jetë dhe duke përmirësuar cilësinë e jetës së pacientëve.
Imunoterapia është një metodë trajtimi në mjekësi së cilës po i kushtohet vëmendje e veçantë, pasi përdor sistemin imunitar të trupit për të luftuar sëmundjet.
Normalisht, sistemi ynë zbulon dhe shkatërron qelizat e dëmshme. Por qelizat kancerogjene mund të fshihen ose të mashtrojnë këtë sistem. Imunoterapia synon ta zbulojë këtë maskim dhe të fuqizojë mbrojtjen natyrore të organizmit.
Megjithatë, këto metoda kanë kufizime jo të gjithë pacientët reagojnë dhe mund të ketë efekte anësore si lodhje, skuqje të lëkurës apo inflamacion. Aktualisht, vetëm rreth 20% deri në 40% e pacientëve përfitojnë ndjeshëm nga imunoterapia.
Studiuesit po kërkojnë mënyra të reja për të rritur këtë përqindje, duke përfshirë kombinimin me trajtime të tjera, dietat e pasura me fibra, apo edhe përdorimin e barnave të zakonshme.
Një drejtim tjetër premtues është mjekësia e personalizuar, ku trajtimi përshtatet sipas karakteristikave specifike të tumorit të pacientit. Studimet e fundit kanë treguar se disa pacientë me profile të caktuara gjenetike mund të shërohen plotësisht vetëm me imunoterapi.
Po ashtu, vaksinat kundër kancerit po shfaqen si një qasje inovative. Ato trajnojnë sistemin imunitar për të njohur dhe sulmuar qelizat tumorale specifike.
Edhe pse kërkohen më shumë studime, rezultatet e para janë premtuese. Ekspertët besojnë se e ardhmja e trajtimit të kancerit do të jetë më pak invazive dhe më efektive.

