“U largova ashtu siç doja”: Toni Kroos mbyll bisedat për një rikthimin në fushë…
Toni Kroos ka përjashtuar çdo mundësi për t'u rikthyer në futbollin profesionist, duke këmbëngulur se është i kënaqur me mënyrën se si e përfundoi karrierën e tij te Real Madrid.
Duke folur pasi fitoi çmimin “Laureus Sporting Inspiration Award”, ish-mesfushori gjerman e bëri të qartë se kjo ide nuk ka qenë kurrë në konsideratë.
“As që më ka shkuar ndërmend sepse u tërhoqa nga futbolli ashtu siç doja”, tha Kroos. "E mbylla kapitullin dhe, edhe nëse do të kisha menduar të kthehesha, megjithëse tani është tepër vonë, gjithmonë kam besuar se do të ishte e pamundur ta mbyllja karrierën time me një notë më të mirë."
"Çdo gjë që do të kishte ardhur më pas do të kishte qenë më keq. Tani kam motivime të tjera në jetën time dhe projekte të ndryshme."
Toni Kroos u tërhoq nga futbolli pas një periudhe të shkëlqyer në Madrid, gjatë së cilës luajti 465 ndeshje dhe fitoi 23 trofe, duke përfshirë pesë tituj të Ligës së Kampionëve të UEFA-s, katër tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit, katër Superkupa Spanjolle, pesë Kupa Bote për Klube dhe katër Superkupa UEFA.
Ai e përfundoi karrierën e tij ndërkombëtare me 114 ndeshje, duke shënuar 17 gola dhe duke dhënë 21 asiste.