BE plan për mbrojtjen e anijeve në Hormuz, kërkohet mbështetja e SHBA
Evropa po përgatit një mision të ri detar në Ngushtica e Hormuzit, në një moment kur tensionet në rajon mbeten të larta dhe rreziku për anijet tregtare vazhdon.
Plani u diskutua në një takim në Paris mes liderëve evropianë, përfshirë Emmanuel Macron, Giorgia Meloni, Keir Starmer dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.
Një nga çështjet kryesore është nëse misioni do të ketë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, që shihet si faktor kyç për sigurinë në zonë.
Një opsion që po diskutohet është zgjerimi i misionit evropian Aspides, që tashmë vepron në rajon. Kjo do të ishte më e thjeshtë sesa krijimi i një misioni të ri, por kërkon marrëveshje ligjore dhe përfshirjen e vendeve jo anëtare të Bashkimit Evropian si Mbretëria e Bashkuar, Japonia apo India.
Sipas planit, pjesa më e madhe e operacioneve do të drejtohet nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, me anije luftarake që do të mbrojnë flotën nga kërcënimet me dronë dhe raketa. Italia pritet të kontribuojë me një fregatë dhe disa anije të specializuara për pastrimin e minave detare, një fushë ku konsiderohet ndër më të përgatiturat.
Çminimi i ujërave shihet si një nga sfidat më të mëdha, pasi rreziku nga minat detare është i lartë. Në këtë drejtim, roli i anijeve italiane dhe teknologjisë së tyre pritet të jetë vendimtar.
Ndërkohë, jo të gjitha vendet evropiane kanë kapacitetet e nevojshme për këtë mision. Disa prej tyre kanë mjete të kufizuara ose të vjetra, çka e bën bashkëpunimin ndërkombëtar edhe më të domosdoshëm.
Përveç kësaj, në Evropë po diskutohet edhe një skenar më i gjerë: çfarë ndodh nëse NATO dobësohet ose nëse SHBA tërhiqen nga roli i tyre tradicional. Për këtë arsye, vendet e BE-së po planifikojnë ushtrime për të testuar reagimin në raste krize, përfshirë edhe mbrojtjen e një shteti anëtar pa ndihmën amerikane.


