Pritë e organizuar në jug të Libanit/ U vr* ushtari francez , Franca 'drejton gishtin' nga Hezbollahu

Pritë e organizuar në jug të Libanit/ U vr* ushtari francez ,
Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka reaguar pas vrasjes së një ushtari francez në jug të Libanit, duke drejtuar gishtin nga grupi Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani.

Sipas autoriteteve franceze, sulmi dyshohet të ketë qenë i organizuar dhe i menduar mirë. Nga Parisi shihet si një veprim që synon të trembë Francën dhe të ndikojë në rolin e saj në misionin paqeruajtës të OKB-së UNIFIL.

Një tjetër qëllim lidhet me përpjekjet për të penguar çdo lëvizje drejt negociatave mes Libanit dhe Izraelit.

Po shqyrtohet edhe mundësia që pas këtij sulmi të ketë një plan më të gjerë, i lidhur me ndikimin iranian në rajon. Irani shihet si kundërshtar i afrimit mes Libanit dhe Izraelit, pasi një zhvillim i tillë do të ndikonte në pozicionin e tij.

Franca ka një prani të gjatë në Liban dhe është një nga vendet që kontribuon më shumë në misionin e OKB-së, me trupa të vendosura në terren dhe me rol aktiv në çështjet e sigurisë.

Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm, kur Parisi po përpiqet të mbajë një qëndrim të balancuar në konfliktet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, kjo situatë mund ta vendosë Francën përballë presioneve më të mëdha në rajon.

Ky është rasti i dytë brenda pak javësh që një ushtar francez humb jetën në rrethana të ngjashme, duke rritur shqetësimin për sigurinë e forcave ndërkombëtare në Liban.