ITALI, SEKUESTROHEN 110 KG K*KAINË/ Arrestohet një 22-vjeçar shqiptar, garazhdi i kthyer në depo dr*ge
Guardia di Finanza në Brescia zbuloi një depo droge në një garazh në Sarnico, ku u sekuestruan 110 kilogramë kokainë dhe u arrestua një i ri shqiptar 22-vjeçar.
Një operacion i autoriteteve italiane çoi në zbulimin e një garazhi të shndërruar në depo droge në zonën e Sarnico, ku u sekuestruan 110 kilogramë kokainë. Operacioni u zhvillua nga Guardia di Finanza e Brescia dhe përfundoi me arrestimin e një 22-vjeçari me origjinë shqiptare, banues në Grumello del Monte.
Sipas autoriteteve, droga ishte e ndarë në blloqe njëkilogramëshe dhe ruhej në ambientet e garazhit, i cili dyshohet se përdorej si pikë magazinimi për shpërndarjen në treg. Operacioni u koordinua nga strukturat speciale kundër drogës dhe krimit të organizuar të Guardia di Finanza-s, konkretisht nga njësitë GOE dhe GICO.
Sasia e sekuestruar konsiderohet shumë e madhe nga hetuesit. Sipas vlerësimeve paraprake, kokaina mund të kishte një vlerë mbi 4 milionë euro në tregun me shumicë, ndërsa nëse do të shpërndahej në tregun me pakicë fitimi mund të arrinte deri në rreth 10 milionë euro.
Hetimi nisi pas sinjalizimeve të disa banorëve të zonës, të cilët kishin raportuar lëvizje të dyshimta pranë garazhit. Pas verifikimeve dhe vëzhgimeve të kryera nga autoritetet financiare italiane, u organizua ndërhyrja që çoi në zbulimin e drogës dhe arrestimin e të dyshuarit.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbuluar nëse pas kësaj sasie të madhe droge qëndron një rrjet më i gjerë trafiku ndërkombëtar të narkotikëve, si dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.
