Kumbulla pranë rikthimit si titullar te Majorka, mund të jetë surpriza ndaj Valencias
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla, duket se ka lënë pas periudhën e vështirë në kampionatin spanjoll dhe tashmë synon të rikthehet në formën e tij më të mirë.
Qendërmbrojtësi u rikthye të luante fundjavën e kaluar me RCD Mallorca, duke marrë disa minuta në fitoren ndaj Rayo Vallecano, ndeshje në të cilën sulmuesi kosovar Vedat Muriqi vendosi një rekord historik si golashënuesi më i mirë i klubit.
Ndërkohë, këtë javë Mallorca përballet me një sfidë të vështirë ndaj Valencia CF dhe përgatitjet për këtë takim kanë nisur prej ditësh. Sipas mediave spanjolle, Kumbulla është shumë pranë rikthimit si titullar dhe mund të jetë surpriza e madhe e trajnerit në ndeshjen e fundjavës.
Forma jo e mirë e mbrojtësit Omar Mascarell ka ardhur në një moment kur Kumbulla është rikuperuar plotësisht, duke i hapur rrugën shqiptarit për të rifituar vendin në formacionin bazë.
Nëse paraqitjet e tij në javët e mbetura do të jenë bindëse, Kumbulla mund të detyrojë drejtuesit e Mallorca-s të blejnë kartonin e tij nga AS Roma. Në të kundërt, mbrojtësi pritet të rikthehet në Romë dhe të shqyrtojë një tjetër huazim gjatë merkatos së ardhshme.
