Disiplina e FSHF “shkund” futbollin shqiptar/ përjashtohet Shkumbini, Telushi pezullohet 8 ndeshje

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka marrë vendime të forta në mbledhjen e fundit, duke sjellë pasoja të rënda për disa klube dhe lojtarë të futbollit shqiptar.

Vendimi më i ashpër është ai ndaj Shkumbinit, i cili përjashtohet nga gara pas tërheqjes nga loja në ndeshjen ndaj Këlcyrës. Sipas vendimit, ndeshja regjistrohet 3-0 në tavolinë në favor të kundërshtarit, ndërsa klubi dënohet edhe me gjobë prej 500 mijë lekësh. Si pasojë, Shkumbini zbret automatikisht në Kategorinë e Tretë. Gjithashtu, dy zyrtarë të klubit, Florent Hasbajrami dhe Musa Xhaja, janë pezulluar me nga 3 muaj.

Në një tjetër vendim të rëndë, lojtari i Orikut, Bruno Telushi, është pezulluar me 8 ndeshje për sjellje të dhunshme dhe sulm ndaj kundërshtarëve. Ky vendim praktikisht i jep fund sezonit për ish-kapitenin e Partizanit.

Ndërkohë, ka edhe zhvillime pozitive për disa emra të tjerë. Mbrojtësi i Flamurtarit, Luciano Skuadrone, i cili më herët ishte dënuar me 6 muaj pezullim për incidentet në Elbasan, është falur nga Komisioni i Disiplinës. Dënimi i tij është pezulluar dhe ai është vendosur në një periudhë prove 6-mujore.

Po ashtu, është pranuar edhe kërkesa e Behar Ramadanit për pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit.