Ndërtimi në Kosovë përballet me kosto në rritje, shtrenjtohen banesat dhe bie interesimi për blerje

Rritja e vazhdueshme e çmimeve në sektorin e ndërtimit po vlerësohet si shqetësim i madh për vetë industrinë, e cila po përballet me rritje të kostove dhe vështirësi në funksionim të qëndrueshëm të tregut.

Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj tha për KosovaPress se rritja e çmimeve nuk është artificiale, por pasojë e zhvillimeve reale në treg dhe prekjes të edhe vetë sektorit të ndërtimit nga kjo situatë, njësoj si qytetarët.

Vataj vuri në pah edhe ndikimin e rritjes së çmimit të derivateve, e cila, sipas tij, ka reflektuar drejtpërdrejt në kostot e transportit dhe më pas në çmimin final të materialeve ndërtimore.

Duke folur për ndikimin në treg, ai ka konfirmuar se rritja e çmimeve në ndërtimtari ka ndikuar në uljen e interesimit të qytetarëve për blerjen e banesave.

Sa i përket masave për stabilizimin e kësaj situate, Vataj ka theksuar se përkrahja institucionale është thelbësore për të lehtësuar gjendjen aktuale.

Ai ka shtuar se ekziston nevoja për një qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në një sektor që konsiderohet shtyllë e zhvillimit ekonomik. Sipas tij, bashkëpunimi me prodhuesit vendor dhe përpjekjet për rritjen e prodhimit të brendshëm janë kyçe për të zbutur varësinë nga importi dhe për të kontrolluar çmimet.

Pronari i një kompanie ndërtimi në Kosovë, Tunë Gjokaj për KosovaPress thotë se çmimet e materialeve bazë si hekuri dhe betonit, kanë pësuar rritje të ndjeshme duke detyruar edhe sektorin të ngadalësojë ritmin e punës dhe të pres stabilizim.

Sipas Gjokajt, betoni si një nga materialet bazë të ndërtimit brenda pesë javëve një metër kub është rritur nga 75 euro në 150 euro.

Sipas tij, rritja e çmimit të derivateve dhe varësia e madhe nga importi kanë ndikuar ndjeshëm në koston e materialeve ndërtimore, duke e bërë edhe më të vështirë menaxhimin e projekteve.

Në anën tjetër, ai vlerëson se rritja e çmimeve ka reflektuar drejtpërdrejt edhe në kërkesën e qytetarëve, duke bërë që shumë prej tyre të hezitojnë për investime të reja në patundshmëri.

Ndërsa, sipas agjencive të patundshmërive që ka kontaktuar KosovaPress, çmimet e banesave në Prishtinë varen kryesisht nga lokacioni, cilësia e ndërtimit, kërkesa dhe oferta në treg si dhe nga faktorë të tjerë.

Aktualisht, në shumicën e projekteve të reja dhe të gatshme për banim, sipas agjencive të patundshmërive, çmimet janë nga 1400 deri në 1700 euro për metër katror.

Ndërsa, në zonat më të kërkuara ato shpesh tejkalojnë 2000 deri në 2500 euro për metër katror. Ndërsa, për vitin 2025, rritja mesatare vlerësohet të jetë rreth 5–7%.

Ndërkaq sipas Agjencisë së Statistikave të Kosoves, Indeksi i çmimeve të pronave të banimit u rrit 5,5% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024.

Prej 5,5% është rritur çmimi i pronave të banimit edhe në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025.

Nga të dhënat e ASK-së, në Regjionin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit janë rritur me 4,9% në tremujorin e katërt 2025 krahasuar me tremujorin e katërt 2024. Për regjionet e tjera të vendit, çmimet e pronave të banimit u rritën 4,3% në tremujorin e katërt 2025, krahasuar me tremujorin e katërt 2024. /KosovaPress