Kapet me 110 kg ko*ainë, arrestohet shqiptari në Itali
Një sasi e konsiderueshme prej 110 kilogramësh kokainë e pastër është sekuestruar nga autoritetet italiane në Sarnico, ndërsa në pranga ka përfunduar një 22-vjeçar me origjinë shqiptare, i dyshuar si kujdestar i ngarkesës.
Droga ishte e ndarë në pako prej një kilogrami secila dhe, sipas hetuesve, nëse do të shitej me shumicë do të sillte mbi 4 milionë euro fitime për organizatën kriminale. Ndërkohë, pasi të përzihej dhe të shpërndahej në doza në tregun e rrugës, vlera e saj mund të arrinte deri në rreth 10 milionë euro, duke qenë se një dozë prej 0.5 gramësh shitet nga 40 deri në 50 euro.
Operacioni u zhvillua nga njësitë kundër drogës dhe krimit të organizuar të Guardia di Finanza në Breshia, pas sinjalizimeve për lëvizje të dyshimta pranë një garazhi në Sarnico. Vëzhgimet çuan në identifikimin e të riut shqiptar, i cili dyshohet se ruante ambientin ku ishte fshehur ngarkesa.
Pas arrestimit, ai është dërguar në burgun e Bergamos, ku pritet vendimi për masën e sigurisë. Kontrolli i mëtejshëm i ambienteve konfirmoi dyshimet e autoriteteve, duke çuar në sekuestrimin e një prej sasive më të mëdha të drogës të zbuluara së fundmi në këtë zonë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e kokainës dhe destinacionin final të saj, ndërsa dyshohet se kjo ishte vetëm një ndalesë e rrugës së trafikut ndërkombëtar nëpër Evropë.
Autoritetet italiane theksojnë se zonat e Bergamos, Breshias dhe Milanos po shndërrohen gjithnjë e më shumë në nyje kyçe të trafikut të drogës, ku veprojnë grupe të lidhura me krimin e organizuar shqiptar.
Sipas agjencive ndërkombëtare, gjatë vitit të fundit është vërejtur një rritje e sasisë së kokainës që mbërrin nga Amerika e Jugut në portet e Evropës Veriore, veçanërisht në Holandë. Ky fenomen ka ndikuar edhe në uljen e çmimit të kokainës me rreth 30% në tregun me shumicë, duke rritur shqetësimet për përhapjen e dozave më të lira në rrugë.

