Netanyahu mes kërcënimeve të Trump: Shpërbërja e Hezbollahut do të kërkojë kohë

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij ende synon të shpërbëjë Hezbollahun pavarësisht armëpushimit në Liban, ndërsa presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se e kishte “ndaluar” Izraelin të sulmonte Libanin “më tej”.

Netanyahu tha se shkatërrimi i Hezbollahut të mbështetur nga Irani “nuk do të arrihej nesër”.

Deklarata e tij erdhi pasi Irani njoftoi se Ngushtica e Hormuzit ishte rihapur pas armëpushimit në Liban.

“Kjo kërkon përpjekje të vazhdueshme, durim dhe qëndresë, dhe kërkon navigim të mençur në fushën diplomatike”, tha Netanyahu.

Netanyahu theksoi se kishte rënë dakord për armëpushimin e përkohshëm në Liban, me kërkesë të Trump.

Reagimi i tij erdhi ndërsa Trump duket se po rrit presionin mbi Izraelin që të respektojë armëpushimin, i cili ka qenë një pikë ngërçi në negociatat me Iranin për një marrëveshje paqeje në luftën e nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli më 28 shkurt.

“Kjo marrëveshje nuk varet në asnjë mënyrë nga Libani, por SHBA-ja, më vete, do të bashkëpunojë me Libanin dhe do ta trajtojë situatën e Hezbollahut në një mënyrë të përshtatshme”, tha Tump në “Truth Social” – duke konfirmuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit sot në mëngjes.

“Izraeli nuk do ta bombardojë më Libanin. SHBA-ja e ndalon ta bëjë këtë. Mjaft më”, shtoi Trump.

Netanyahu tha se Izraeli ka shkatërruar rreth 90% të rezervave të raketave të Hezbollahut, ndërsa shtoi se forcat izraelite nuk e kanë përfunduar ende detyrën e tyre.

Ai tha se Izraeli do të merrte masa të mëtejshme për të eliminuar raketat dhe dronët e mbetur, por nuk dha detaje të mëtejshme.