”Nxehtësi mizore” termi i ri japonez ndaj temperaturave rekord
Ditët me temperatura përvëluese, që do të arrijnë mbi 40 gradë Celcius, do të quhen tashmë nxehtësi mizore në Japoni, njoftoi sot Agjencia Meteorologjike Japoneze (JMA), në një kohë kur temperaturat e larta po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në mbarë botën.
”Duke përdorur këtë emërtim të ri, që në japonisht thuhet ‘kokusho-bi’ JMA-ja synon të nxisë më efektivisht vigjilencën përballë temperaturave jashtëzakonisht të larta”, shpjegoi agjencia.
Vitin e kaluar, Japonia u përball me verën më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1989, në një kohë kur rritja e temperaturave po vërehet në shkallë globale për shkak të ndryshimeve klimatike.
Për krijimin e kësaj kategorie të re, JMA-ja zhvilloi një konsultim publik dhe mblodhi përgjigjet e 478 mijë personave, përpara se të zgjidhte shprehjen ”mizorisht e nxehtë”, e cila rezultoi më e preferuara.
Në vend të dytë u rendit ”ditë super jashtëzakonisht e nxehtë” (”cho-mosho-bi”), ndërsa ndër propozimet e tjera ishin edhe ”ditë sauna”, ”ditë për të qëndruar në shtëpi’ dhe ”ditë përvëluese”, sipas JMA.
Kjo kategori e re i shtohet termave që përdor tashmë agjencia për të përshkruar temperaturat: 25 gradë Celcius e më shumë (”ditë vere”), 30 gradë Celcius e më shumë (”ditë e nxehtë vere”) dhe 35 gradë Celcius e më shumë (”ditë me nxehtësi ekstreme”).
