Turqia godet rrjetet sociale pas sulmeve në shkolla, mbi 400 persona të arrestuar

Autoritetet në Turqi kanë ndërmarrë një aksion të gjerë kundër rrjeteve sociale, duke arrestuar 411 persona dhe bllokuar 1,866 adresa interneti pas dy sulmeve vdekjeprurëse në shkolla duke lënë 10 viktima dhe plagosën dhjetëra të tjerë.

Sipas policisë turke, personat e ndaluar akuzohen për “keqinformim të publikut dhe cenim të rendit publik” përmes publikimeve provokuese në internet. Autoritetet theksuan se lufta ndaj përmbajtjeve që nxisin panik dhe urrejtje do të vazhdojë.

Sulmi më i rëndë ndodhi të mërkurën në provincën jugore Kahramanmaraş, ku humbën jetën 10 persona, përfshirë tetë fëmijë, një mësues dhe vetë autorin e sulmit. Sipas raportimeve, autori ishte nxënës i klasës së tetë dhe përdori armë që i përkisnin babait të tij, një ish-polic, i cili është marrë në paraburgim.

Ky ishte sulmi i dytë brenda dy ditësh. Një ditë më parë, në një shkollë profesionale në distriktin Siverek të provincës Şanlıurfa, një tjetër sulm la 16 persona të plagosur. Autori i këtij sulmi ishte një ish-nxënës i lindur në vitin 2007.

Si reagim ndaj ngjarjeve, qeveria turke ka ndërmarrë masa të forta ndaj internetit dhe rrjeteve sociale, duke goditur veçanërisht platformën Telegram. Sipas policisë, 111 kanale në këtë platformë, të lidhura me një grup të identifikuar si “C31K”, janë mbyllur për shkak të përhapjes së përmbajtjeve të lidhura me sulmet.

Ngjarje të tilla me armë në shkolla konsiderohen relativisht të rralla në Turqi, por dy sulmet e njëpasnjëshme kanë tronditur opinionin publik dhe kanë rritur frikën për sulme të tjera të mundshme, sidomos pas publikimeve kërcënuese në rrjetet sociale.