Papa Leo thirrje kundër dhunës në Kamerun, 120 mijë besimtarë mblidhen në Douala

Qindra mijëra besimtarë u mblodhën pranë stadiumit “Japoma” në Douala, qyteti më i madh dhe qendra ekonomike e Kamerunit, për një meshë të udhëhequr nga Papa Leo, në atë që u cilësua si ngjarja më e madhe e turneut të tij në katër vende të Afrikës.

Vatikani, duke cituar autoritetet lokale, vlerësoi se rreth 120,000 persona iu drejtuan stadiumit për të marrë pjesë në ceremoninë fetare dhe për të dëgjuar mesazhin e Papa Leos, i cili po zhvillon një turne në kontinent.

Në kushte sigurie të rrepta, shumë besimtarë kishin mbërritur një ditë më parë dhe kishin kaluar natën pranë stadiumit për të siguruar pjesëmarrjen. “Ishte e vështirë i ftohti, mushkonjat dhe gjithçka tjetër,” tha një pjesëmarrës, Kevin Kaegam. “Por donim me çdo kusht të shihnim Papën.”

Papa Leo, i pari papë amerikan, ka mbajtur një ton më të ashpër në këtë vizitë në Afrikë. Gjatë qëndrimit në Kamerun, ai deklaroi se bota po “shkatërrohet nga një grusht tiranësh”, pa përmendur emra.

Duke folur pas mbërritjes në Douala nga Yaounde, ai u bëri thirrje besimtarëve të refuzojnë dhunën si mënyrë për të përballuar vështirësitë, duke theksuar se shumë qytetarë në Kamerun përballen me “varfëri materiale dhe shpirtërore”.