Distria Krasniqi siguron finalen e Evropianit të xhudos

Distria Krasniqi ka siguruar një tjetër sukses të madh për xhudon kosovare, duke u kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian për seniorë “European Senior Championships 2026” që po mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë. Kampionia olimpike vazhdon formën e saj të shkëlqyer, duke kaluar me sukses të gjitha raundet deri në finalen e madhe.

Rrugëtimi i saj drejt finales nisi me fitore të sigurta në fazat e hershme, ndërsa në çerekfinale arriti të dominojë kundërshtaren dhe të sigurojë biletën për gjysmëfinale. Në këtë fazë, Krasniqi u përball me italianen Odette Giuffrida, të cilën e mposhti me Yuko pas një ndeshjeje shumë të fortë dhe taktike.

Në finalen e madhe, Krasniqi do të përballet me francezen Amandine Buchard, në një duel që pritet të jetë spektakolar dhe vendimtar për medaljen e artë evropiane. Kjo përballje rikthen një rivalitet të njohur në arenën ndërkombëtare, ku të dyja xhudistet kanë dhënë shpesh duele të forta.