ETO’O PËRGËZON MURIQIN! Ish-sulmuesi: Vedat, jam i lumtur për rekordin, bëje Mallorca-n tonë më të fortë
Samuel Eto’o i ka dërguar një mesazh special Vedat Muriqit, pasi ky i fundit theu rekordin e golave te Majorka në La Liga. Në mesazhin e tij, Eto’o e përgëzoi Muriqin për punën dhe përkushtimin, duke i kërkuar të vazhdojë me të njëjtin ritëm dhe ta bëjë edhe më të fortë klubin spanjoll.
Vedat Muriqi ka hyrë në histori si golashënuesi më i mirë i klubit të Majorkës në La Liga. Rekordi i tij nuk ka kaluar pa u vlerësuar edhe nga një legjendë e futbollit botëror, Samuel Eto’o, pasi kosovari theu rekordin e kamerunasit, duke arritur shifrën e 55 golave.
Ish-sulmuesi kamerunas, i cili gjithashtu ka lënë gjurmë të mëdha te Majorka, i ka dërguar një mesazh urimi Muriqit, duke e përgëzuar për këtë arritje historike
ETO: “Përshëndetje Vedat nga Kameruni, jam i lumtur për atë cfare ke arritur. E di që ke punuar shumë, por vazhdo kështu. Bëje Mallorcan tonë më të fortë. Urime ty dhe bashkëlojtarëve tuaj që të ndihmuan në këtë rekord”
Nga ana tjetër, Muriqi nuk e ka fshehur emocionin për këtë vlerësim që vjen nga një figurë ikonike e klubit dhe futbollit botëror.
MURIQI: “Faleminderit shumë për këtë mesazh nga legjenda, Samuel Eto’o. I vlerësoj fjalët e tij, e di që ai ka bërë punë të madhe këtu. Jam i lumtur që ai ndau kohën për të më uruar. Nëse do të më thoshte dikush para 15 vitesh se Eto’o do të më bënte një video-mesazh, do të dukej e pabesueshme. Por ja ku jemi, jam krenar për veten dhe ekipin tim”.
Muriqi ka mundësi të thellojë rekordin te Majorka, pasi sezoni nuk është mbyllur ende. Sulmuesi kosovar është në garë edhe për këpucën e artë në la liga. Ai ka shënuar 21 gola deri më tani, 2 më pak se Mbape.


