“Eliminuan Realin me ‘thriller’, Kompani paralajmëron PSG-në: Na pret një tjetër natë e çmendur!”

Vinsent Kompani ka folur për “Prime Video” pas fitores spektakolare 4-3 kundër Realit të Madridit. Trajneri i Bajernit të Mynihut shprehu lumturinë për këtë sukses të madh, i cili u bë edhe më i veçantë për shkak të mënyrës dramatike se si erdhi. Tashmë, vëmendja e tij është përqendruar te përballja e radhës ndaj PSG-së, me synimin për të siguruar një vend në finale.

“Jam shumë i lumtur dhe krenar për ekipin, është një gjë pozitive për të gjithë. Tani duam të kualifikohemi në finale. Mendoj se bëmë gjënë më të rëndësishme në futboll, qëndruam në lojë edhe pasi mbetëm në disavantazh. Fitorja e kësaj ndeshjeje dhe mënyra se si e arritëm është diçka e veçantë për tifozët tanë.

A mund të ëndërrojmë shumë tani? Ne kemi ëndërruar që nga fillimi i sezonit. Do të përballemi me ekipin që fitoi Ligën e Kampionëve vitin e kaluar dhe që duket edhe më i fortë. Do të jetë një tjetër natë e madhe futbolli dhe do të përpiqemi të arrijmë në finale”, është shprehur Vinsent Kompani.