E jashtëzakonshme! Distria Krasniqi shpallet Kampione e Evropës për herë të katërt
Xhudistja Shqiptare nga Kosova Distria Krasniqi ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke u shpallur kampione e Evropës për herë të katërt, dhe për herë të tretë radhazi.
Në finalen e madhe të European Senior Championships 2026, të zhvilluara në Tbilisi të Gjeorgjisë, Krasniqi u përball me francezen Amandine Buchard, në një duel të fortë që riktheu rivalitetin mes dy xhudisteve më të mira në arenën ndërkombëtare.
Rrugëtimi i saj drejt titullit ishte dominant që nga raundet e para. Ajo nisi me fitore bindëse në fazat fillestare, ndërsa në çerekfinale dhe gjysmëfinale tregoi nivel të lartë teknik dhe kontroll të plotë mbi kundërshtaret.
Në gjysmëfinale, Distria u përball me italianen Odette Giuffrida, të cilën e mposhti me Yuko pas një ndeshjeje shumë të fortë dhe taktike, duke siguruar kështu biletën për finalen e madhe dhe më pas kurorëzimin me medaljen e artë.
Me këtë triumf, Krasniqi konfirmon edhe një herë statusin e saj si një nga emrat më të mëdhenj të xhudos evropiane dhe botërore.
