"Diaspora mban 10-15% të ekonomisë"/ Shkurti: Shqipëria nuk krijon kushte për investime
I ftuar në emisionin “Ora e Betit”, gazetari Armir Shkurti foli për marrëdhënien e shtetit shqiptar me diasporën dhe vështirësitë për ta kthyer atë në një faktor real zhvillimi.
Ai e cilësoi të ekzagjeruar retorikën për kthimin e emigrantëve, duke e lidhur me mungesën e rezultateve konkrete në terren.
Sipas tij, iniciativa si Samiti i Diasporës nuk kanë prodhuar një mekanizëm funksional bashkëpunimi.
“Vazhdojmë pas gënjeshtrës së samitit dhe të asaj që u quajt platformë. Deri këtu kemi mbetur.”- tha ai.
Shkurti vlerësoi rolin e diasporës, duke e cilësuar si mbështetje kyçe për ekonominë shqiptare, sidomos pas viteve ’90.
Ai përmendi edhe ndikimin e saj përmes remitancave, të cilat mbulojnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë familjare në vend.
“Diaspora ka një kontribut të jashtëzakonshëm, deri në 10-15% të GDP-së. Këto janë bukë dhe ilaçe për familjet.”-shtoi Shkurti.
Megjithatë, ai ngriti si problem kryesor klimën për të bërë biznes në Shqipëri, duke thënë se mungesa e kushteve reale i bën thirrjet për kthim të pabesueshme.
Sinkron: “Ne që jemi këtu nuk po mundim të hapim një biznes, qoftë edhe një kioskë. Si mund të vijë dikush nga jashtë?”
Sipas tij, problemi nuk qëndron te mungesa e vullnetit të diasporës, por te mungesa e kushteve dhe sigurisë për investime në vend.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

