Samiti i diasporës një fasadë? Tare: Shqipëria prej 30 vitesh nuk një projekt kombëtar për të thithur trurin
Në kohën kur vëmendja publike është përqendruar te Samiti i Diasporës, një ngjarje e promovuar si urë lidhëse me shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit, ngrihen zëra kritikë që e cilësojnë atë si një fasadë.
Sipas studiuesit Auron Tare, problemi thelbësor nuk qëndron te organizimi i një samiti, por te mungesa e një projekti kombëtar të mirëfilltë prej 30 vitesh, i cili do të mundësonte angazhimin real të ekspertizës së diasporës në interes të vendit.
Duke folur në një lidhje direkte në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, Tare argumentoi se çdo qeveri që vjen në pushtet e gjen tavolinën bosh, pa një manual apo strategji të qartë se si të përfitojë nga potenciali i jashtëzakonshëm i shqiptarëve që kanë shkëlqyer në botë.
Kjo mungesë strukturore bën që ngjarje si samiti të mbeten në nivelin simbolik, pa u shoqëruar me rezultate konkrete.
“Në Shqipëri, këto 30 vjet, nuk ka një projekt shqiptar ku çdo qeveri që vjen, të gjejë në tavolinë një manual apo strategji për angazhimin e diasporës në çështje me interes kombëtar”, theksoi ai, duke shtuar se paradoksalisht, diaspora shqiptare kishte më shumë fuqi dhe ndikim në vitet '20-'30 sesa sot.
Për të ilustruar këtë fenomen, ai solli shembullin e sportit. Problemi, sipas tij, nuk është nëse figura të njohura si Igli Tare apo Lorik Cana ftohen apo jo në Shqipëri. Ata vijnë, nderohen dhe qeveritë kërkojnë të përfitojnë nga lavdia e tyre.
Çështja thelbësore është se si ekspertiza e tyre mund të përdoret për të ndërtuar një "ekonomi të futbollit". "Nuk është çështja që dikujt t'i jepet një biletë në tribunë. Çështja është t'i merret analiza, ekspertiza dhe përvoja për të ngritur ekonominë e futbollit," shpjegoi Tare.
E njëjta logjikë vlen edhe për sektorë të tjerë strategjikë si turizmi dhe trashëgimia kulturore. Shqipëria ka ekspertë të suksesshëm në fushën e arkeologjisë dhe turizmit në mbarë botën, por asnjëri prej tyre nuk është thirrur për të dhënë "mendjen" dhe kontributin e tyre në hartimin e politikave kombëtare.
Një shembull flagrant i kësaj shpërfilljeje është një rast personal i treguar nga analisti gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Bregdetit. Në një mbledhje për ndërtimin e marinave, një fushë ku Shqipëria ka zero ekspertizë, një zotëri i kthyer nga Kanadaja i kishte treguar se kishte punuar për 10 vjet në portin më të madh atje. Pavarësisht kësaj përvoje unike, askush në ministri nuk i kishte kërkuar mendim.
Në përfundim, kritika e Tares thekson se Shqipërisë nuk i mungon vullneti i mirë apo dashamirësia, por i mungojnë projektet konkrete dhe të strukturuara.
Pa këto projekte, tha ai, edhe kur ekspertët vijnë, shteti nuk di si t'ua marrë mendjen dhe kontributin, duke bërë që potenciali i tyre të mbetet i pashfrytëzuar dhe samitet të rrezikojnë të perceptohen si lëvizje pa përmbajtje.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT”


