Samiti, Neza: Përjashtimi i opozitës, mundësi e humbur për të ndërtuar ura komunikimi mes Shqipërisë e Diasporës

Samiti i Diasporës, një nismë që në parim vlerësohet si pozitive dhe që po kthehet në traditë, është përballur me kritika të forta për mënyrën e organizimit dhe përmbajtjen e tij. Zëra kritikë argumentojnë se takimi ishte i njëanshëm dhe i veshur me ngjyra politike, duke shërbyer më shumë si një platformë për interesat e qeverisë sesa si një forum i hapur për të gjithë.

Duke folur në studion e emisionit “Ora e Betit” në “Ora News” të moderuar nga gazetarja Beti Njuma, gazetari dhe analisti Sami Neza u shpreh se ai ishte një aktivitet tërësisht i kontrolluar nga mazhoranca, duke përjashtuar plotësisht opozitën.

Neza theksoi se përfaqësuesit e opozitës jo vetëm që nuk u përfshinë, por as nuk u lajmëruan apo nuk ishin pjesë e agjendës së takimit treditor.

Ky përjashtim u konsiderua nga Neza, një problem serioz, duke pasur parasysh se diaspora shqiptare nuk është monolite, por përbëhet nga individë me bindje të ndryshme politike, duke përfshirë socialistë, demokratë dhe të tjerë.

Në diasporë, tha Neza, ka figura të angazhuara në parti të ndryshme politike evropiane, përfshirë edhe deputetë në Parlamentin Evropian, të cilët mund të jepnin një kontribut të vlefshëm.

Përjashtimi i zërave opozitarë shihet nga Neza si një mundësi e humbur për të ndërtuar ura komunikimi midis Shqipërisë dhe diasporës së saj. Një debat i hapur politik do të ishte i domosdoshëm për të pasuruar dialogun dhe për të thyer atë që përshkruhet si një "narrativë politike e mbledhur tek vetja" në Shqipëri, e cila e ka të vështirë të ndërtojë nivele të ndryshme komunikimi përtej ndarjes klasike pozitë-opozitë.

Një tjetër pikë kritike lidhet me vetë agjendën e samitit. Gjatë ditës së parë, vijoi Neza, panelet u drejtuan nga ministra të kabinetit qeveritar, të cilët referuan mbi sukseset e qeverisë.

Kjo qasje, tha Neza u duk si një përpjekje për të mobilizuar diasporën dhe për ta kthyer atë në një "agjitator" të sistemit qeverisës. Qëllimi, sipas tij, ishte të mbillej ideja se gjërat në Shqipëri po ecin mbarë, me shpresën se pjesëmarrësit do ta përcillnin këtë mesazh në vendet ku jetojnë dhe punojnë.

Kjo strategji, megjithatë, anashkalon faktin se shumë pjesëtarë të diasporës janë individë me agjenda të tyre personale dhe profesionale, të përfshirë në nivele të larta të politikës, biznesit, shkencës dhe artit në vendet pritëse, dhe nuk mund të trajtohen si një masë e thjeshtë për qëllime propagandistike.

NDIQNI EMISIONIN E PLOTË “ORA E BETIT”