“Shpërthen merkatoja e F1? Verstappen ndez ‘zinxhirin’ që mund të tronditë botën e Formula 1 në vitin 2026”

Deklaratat e vazhdueshme të Max Verstappen kanë ndezur spekulime të forta në Formula 1, duke lënë të hapur mundësinë e një largimi të papritur nga sporti në fund të vitit 2026. Katër herë kampioni i botës ka lënë të kuptohet se nuk përjashton asnjë skenar, duke krijuar pasiguri në tregun e pilotëve për sezonet e ardhshme.

Ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për një strategji presioni ndaj Red Bull Racing, apo nëse Verstappen vërtet po mendon një tërheqje të mundshme nga Formula 1, pavarësisht konkurrencës së tij në nivelet më të larta.

Ndërkohë, sezoni 2026 pritet të sjellë vendime të rëndësishme edhe për emra të tjerë të mëdhenj të sportit. Lewis Hamilton mund të vazhdojë me Ferrari ose të shqyrtojë një tërheqje nga gara, ndërsa Fernando Alonso pritet të vendosë për të ardhmen e tij pas përfundimit të kontratës me Aston Martin.

Po ashtu, Carlos Sainz ka disa opsione përpara, duke përfshirë vazhdimin me Williams Racing ose një transferim të ri.

Sipas raportimeve të “The Race”, nëse Verstappen vendos të largohet, do të aktivizohej një “efekt domino” në tregun e pilotëve, duke hapur një zinxhir lëvizjesh që mund të ndryshojë tërësisht balancën e Formula 1. Një vend i lirë te Red Bull do të ishte ndër më të kërkuarit në paddock, duke marrë parasysh ambiciet dhe resurset e skuadrës për t’u rikthyer shpejt në majë.