“Kam lindur në vendin e gabuar” Rrëfimi prekës i Amarildo Bakaj që po trondit boksin shqiptar
Boksieri shqiptar Amarildo Bakaj ka njoftuar dorëheqjen e tij nga boksi përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e mbështetjes dhe vështirësitë që, sipas tij, e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.
Në mesazhin e tij të gjatë dhe të ndjerë, ai thekson se vendimi për t’u larguar nga ring nuk ka qenë aspak i lehtë, duke pranuar se një pjesë e njerëzve do të mërziten, ndërsa të tjerë mund të gëzohen për këtë hap të papritur.
“Sot ndaj me ju dorëheqjen time nga boksi. E di që një pjesë e madhe do të mërziten dhe një pjesë do të gëzohen. Gjatë karrierës time nuk mbaj mend që të kem derdhur lot gëzimi. E dini shumë mirë sa janë munduar të ma prishin emrin duke folur keq për mua, sepse e kanë parë që kam talent dhe mund të arrij shumë lart”, shprehet ai në reagimin e tij.
Sipas boksierit, një nga sfidat më të mëdha ka qenë sigurimi i ndeshjeve me emra të njohur në arenën ndërkombëtare. Ai thekson se mungesa e sponsorëve ka qenë një pengesë e madhe për avancimin e karrierës së tij.
“Shumica kanë menduar se po kërkoja famë kur kërkoja ndeshje me boksierë si Ben Whittaker e të tjerë. Ata nuk më kanë pasur frikë, por për të pranuar një ndeshje me boksierë me emër, duhet të kesh sponsorë që të përballojnë kërkesat e tyre”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, ai bën edhe një krahasim mes sportistëve shqiptarë dhe atyre në vende si Anglia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se diferenca kryesore qëndron tek mbështetja financiare dhe profesionale.
“Boksierët në Angli dhe SHBA janë të fortë jo sepse kanë më shumë zemër apo forcë se ne shqiptarët, por sepse atyre u paguhen trajnerët më të mirë dhe biznesmenët u afrohen si sponsorë. Ata janë patriotë në sport, ndërsa ne merremi me rrjete sociale”, shton ai.
Në fund të mesazhit, Amarildo Bakaj tregon se edhe pse është vetëm 26 vjeç, një moshë që konsiderohet ideale për një boksier, lodhja shpirtërore e ka detyruar të marrë këtë vendim të vështirë.
Ai shprehet se zhgënjimi dhe mungesa e mbështetjes e kanë bërë të ndiejë se nuk mund të vazhdojë më përpara në këtë rrugë.
“Jam 26 vjeç, në moshën më të mirë për boks, por më është lodhur shpirti dhe nuk mundem më. Duhet ta pranoj, kam lindur në vendin e gabuar. Deri në vdekje do të jem shqiptar, patriot me zemër. Zoti kaq kishte shkruar për mua. Do të më mungoni shumë. Faleminderit për çdo të mirë dhe të keqe. Ju dua”, përfundon mesazhi i tij emocional.
