Superliga, përcaktohen datat e “Final Four” dhe shpërblimet financiare
Kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i sezonit të rregullt të Kategorisë Superiore, gara për objektivat sezonalë mbetet plotësisht e hapur, si në krye të renditjes për pjesëmarrjen në “Final Four”, ashtu edhe në fundin e tabelës për mbijetesën.
Drejtori i Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, në një prononcim për fshf.org, vlerësoi se kampionati vijon të jetë shumë konkurrues, ndërsa theksoi se aktualisht vetëm Vllaznia ka siguruar matematikisht pjesëmarrjen në fazën finale “Final Four”.
Sipas tij, pesë skuadra të tjera janë në garë për tre vendet e mbetura, ndërsa edhe në fundin e renditjes situata mbetet e tensionuar, pasi dy skuadrat e fundit bien direkt nga kategoria, ndërsa vendi i tetë do të luajë play-off me një ekip të Kategorisë së Parë.
Sa i takon formatit të “Final Four”, Sulejmani bëri të ditur se ky është sezoni i tretë me këtë sistem, ndërsa këtë vit është parashikuar një ndryshim, ku katër ekipet e para do të nisin fazën finale me pikët e përgjysmuara.
Ndeshjet gjysmëfinale do të zhvillohen në datat 16 dhe 17 maj, ndërsa finalet dhe ndeshjet e tjera do të luhen më 23-24 dhe 29-31 maj në stadiumin “Air Albania”.
Ai bëri gjithashtu të ditur edhe skemën e shpërblimeve financiare për klubet. Sipas tij, vendi i parë përfiton 10 milionë lekë të rinj, vendi i dytë 7 milionë, vendi i tretë 5 milionë dhe vendi i katërt 2 milionë lekë të rinj.
Fituesi i “Final Four” do të përfitojë gjithashtu 10 milionë lekë të rinj, ndërsa të gjitha klubet do të ndajnë të ardhura shtesë nga biletat, sponsorët dhe reklamat sipas renditjes përfundimtare.

