Shefi i Mossadit: Kryem operacione në zemër të Teheranit dhe ndihmuam në rrëzimin e raketave kundër Izraelit

Drejtori i Mossadit, David Barnea, tha sot gjatë një deklarate (14 prill), se agjencia e inteligjencës izraelite kreu operacione “në zemër të Teheranit” gjatë operacionit të fundit ushtarak nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kundër Iranit.

Deklarata u bë gjatë një eventi për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ku kreu i agjencisë theksoi rolin e inteligjencës në operacionet ushtarake.

“Ne i dhamë informacion të saktë Forcave Ajrore dhe rrëzuam raketa që kërcënuan Izraelin”, u shpreh ai.

Megjithatë, ai vuri në dukje se misioni nuk është i plotë, duke theksuar se agjencia kishte planifikuar të vazhdonte operacionet pasi të kishin mbaruar sulmet ndaj kryeqytetit iranian.

“Ne nuk e kishim marrë në konsideratë që ky mision do të përfundonte menjëherë me përfundimin e luftimeve. Ne planifikuam intensivisht në mënyrë që fushata jonë të vazhdonte dhe të jepte rezultate edhe pas sulmeve në Teheran”, tha ai.

Shefi i Mossadit tha se përgjegjësia e agjencisë do të përfundonte “vetëm kur ky regjim radikal të zëvendësohet”, duke vënë në dukje se ndryshimi i regjimit në Iran është një qëllim strategjik.

“Ndryshimi i regjimit në Iran është misioni ynë. Ne nuk do të qëndrojmë pasivë përballë një kërcënimi tjetër ekzistencial”, shtoi ai.