SPANJA RIHAP AMBASADËN NË TEHERAN/ Përpjekje për të intensifikuar negociata SHBA-Iran

Spanja ka vendosur të rihapë ambasadën në Teheran, si pjesë e përpjekjes prë të intensfikuar negocaitat e nisura mes SBHA dhe Iranit

Ambasada e Spanjës në Teheran është rihapur pas një mbylljeje të përkohshme për arsye sigurie, në sfondin e përshkallëzimit të konfliktit mes SHBA Izraelit dhe Iranit

Sipas mediave iraniane, ambasada rifilloi aktivitetin më 13 prill, duke synuar të mbështesë përpjekjet për ndërmjetësim pas armëpushimit dyjavor që hyri në fuqi më 8 prill. Ambasadori spanjoll, i cili mbërriti në Teheran një ditë më parë, deklaroi se do të punojë për të kontribuar në përpjekjet për paqe nga të gjitha palët e përfshira.

Spanja është pozicionuar si një nga kritikët kryesorë perëndimorë ndaj veprimeve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit që nga nisja e konfliktit më 28 shkurt. Ministri i Jashtëm spanjoll, José Manuel Albares, ka deklaruar se sulmet izraelite në Liban përbëjnë shkelje të armëpushimit dhe të së drejtës ndërkombëtare.

Megjithatë, interpretimi i armëpushimit mbetet i diskutueshëm, pasi SHBA, Irani dhe Izraeli nuk bien dakord nëse ai zbatohet edhe në Liban. Izraeli ka deklaruar se operacionet e tij atje synojnë luftëtarët e Hezbollah, të mbështetur nga Irani.

Armëpushimi dyjavor ishte arritur më 7 prill mes SHBA dhe Iranit për t’i hapur rrugë negociatave për një marrëveshje paqeje. Por bisedimet e zhvilluara në Islamabad nuk prodhuan rezultat konkret.

Në këtë kontekst, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar masa të ashpra, duke njoftuar se SHBA do të bllokojë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane dhe zonat bregdetare në Gjirin Persik.

Zhvillimet e fundit tregojnë se situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet diplomatike për një zgjidhje afatgjatë ende nuk kanë dhënë rezultat.