HORMUZIT “T*RRORIZËM EKONOMIK”/ Vance flet për t*rrorizëm ekonomik, Trump paralajmëron Iranin
Ka hyrë në fuqi bllokada amerikane ndaj porteve iraniane, duke shënuar një përshkallëzim të fortë të krizës mes Uashingtonit dhe Teheranit. Zëvendëspresidenti JD Vance e cilësoi veprimin e Iranit në Ngushticën e Hormuzit si “terrorizëm ekonomik”, ndërsa Presidenti Donald Trump paralajmëroi se çdo anije iraniane që sfidon bllokadën do të eliminohet menjëherë.
Bllokada amerikane ndaj porteve iraniane ka hyrë zyrtarisht në fuqi, duke rritur ndjeshëm tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Donald Trump paralajmëroi se çdo anije iraniane që i afrohet zonës së bllokadës do të përballet me ndërhyrje të menjëhershme ushtarake, duke e bërë të qartë se Uashingtoni është i vendosur të zbatojë masën pa kompromis.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance akuzoi Iranin për “terrorizëm ekonomik”, duke e fajësuar për bllokimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzi, një arterie jetike për furnizimin global me naftë.
Sipas tij, nëse Irani vazhdon me këtë qasje, Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë që asnjë anije iraniane të mos dalë nga portet e vendit.
Nga ana tjetër, autoritetet iraniane reaguan duke theksuar se nuk do të dorëzohen përballë presionit dhe kërcënimeve amerikane, ndërsa paralajmëruan se çdo veprim do të ketë përgjigje.
Përplasja vjen pas dështimit të bisedimeve të fundit mes dy vendeve, ku nuk u arrit marrëveshje për programin bërthamor iranian.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, me prani të shtuar ushtarake në rajon dhe rreziqe për trafikun detar në Gjirin Persik. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të marrë pjesë në bisedimet midis Izraelit dhe Libanit, duke pritur një takim midis ambasadorëve të të dy vendeve në Uashington me qëllim fillimin e negociatave të drejtpërdrejta midis dy vendeve.
Grupi militant libanez Hezbollah nuk do të respektojë asnjë marrëveshje që mund të dalë nga bisedimet e drejtpërdrejta midis Libanit dhe Izraelit në Shtetet e Bashkuara, negociata të cilave ai i kundërshton fuqishëm.
Ndërsa në New York janë zhvilluar protesta kundër shitjes së armëve Izraelit. Autoritetet kanë arrestuar , 90 persona
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për përmbajtje dhe rikthim në dialog, ndërsa frika për një përshkallëzim të mëtejshëm mbetet e lartë.
