“Kriminel ndërkombëtar”/ Péter Magyar sulmon Gruevskin pas fitores së madhe

Lideri politik hungarez Péter Magyar ka reaguar pas fitores së partisë së tij në zgjedhjet parlamentare, duke kritikuar ashpër qëndrimin e Hungarisë ndaj politikanëve të dënuar që kanë marrë azil në vend.

Ai u shpreh kundër pranisë në Hungari të ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, duke e cilësuar si një person të dënuar që nuk duhet të qëndrojë në territorin hungarez.

Magyar kritikoi edhe vendimet e qeverisë së Viktor Orbán për dhënien e azilit për politikanë të tjerë të huaj të akuzuar për abuzime me detyrën, duke kërkuar që Hungaria të mos përdoret si strehë për persona me probleme me drejtësinë.

Ai kërkoi gjithashtu më shumë bashkëpunim mes vendeve europiane për ekstradimin e personave që kërkohen nga drejtësia, përfshirë edhe rastet kur bëhet fjalë për politikanë.

Reagimi i tij vjen pas rezultatit të zgjedhjeve të 12 prillit, ku partia e tij arriti një fitore të thellë ndaj forcës politike në pushtet.

Ndërkohë, rasti i Gruevskit mbetet një nga më të debatueshmit në rajon. Ai u dënua me burg në vitin 2018 dhe u largua nga vendi pak para arrestimit, duke përfunduar në Hungari, ku mori azil politik.