"Të strukturojmë një rrjet zemrash që rrahin për Shqipërinë"/ Nesër do të mbahet Samiti i Diasporës, Rama: Fokusi te historitë e tyre të suksesit
Kryeministri Edi Rama, duke folur në podcastin e tij ‘Flasim’, u ndal te Samiti i Diasporës që do të mbahet në Tiranë ditën e nesërme. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se shqiptarë nga e gjithë bota do të jenë në Tiranë, ndërkohë shtoi se vëmendja gjatë këtyre ditëve do të jetë te historitë e tyre.
Kryeministri u shpreh më tej, se diaspora sot nuk është vetëm një lidhje simbolike me vendin, por një partner konkret në zhvillimin ekonomik, politik dhe shoqëror të Shqipërisë.
"Në javën që nis nesër, mirëpresim në Tiranë Samitin e Diasporës, edicioni i katërt, që mbledh edhe njëherë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë në Shqipëri dhe, sa herë u jepet mundësia, mendojnë, komunikojnë apo vizitojnë Shqipërinë.
E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëseardhjes, ku vëmendja do të jetë te njerëzit dhe te historitë e tyre, histori suksesi, pune e përkushtimi, që janë edhe histori krenarie shqiptare anembanë, por, njëkohësisht, edhe një hapje për vlerësim.
Vlerësim, jo vetëm për shqiptarët që kanë arritur dhe kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre, miq të huaj që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së shqiptarëve, janë bërë bashkë dhe kanë bashkuar, në një farë mënyre, krahët e shqiponjës sonë.
Sot, diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen në këtë samit për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet politike të vendit. Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm, gjithmonë e më shumë si një partner, si një partner i drejtpërdrejtë, duke filluar nga zgjedhjet politike, pastaj edhe tek ekonomia dhe, hap pas hapi, në rrugët e dijes drejt hapësirave të reja të së ardhmes.
Dhe sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar në një bashkëpunim që prodhon rezultate për vendin dhe jo vetëm për vetë shqiptarët, kudo që janë," tha Rama.

