KRIZA PRESIDENCIALE VAZHDON! VV optimiste, opozita akuza Kurtit për mungesë vullneti politik

Zgjedhja e presidentit është kthyer në qendrën debatit dhe ngërçit politik në Kosovë. Lëvizja Vetëvendosje, thotë se po vazhdon përpjekjet për të arritur një marrëveshje me partitë politike, partitë opozitare mbeten skeptike. Ato akuzojnë Kurtin për mungesë të vullnetit politik në proces.

Procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon të mbetet i paqartë, ndërsa dallimet mes pozitës dhe opozitës po thellohen.

Nga radhët e Kryeministrit Albin Kurti, thuhet se po vazhdojnë përpjekjet për të arritur një marrëveshje me partitë politike, me qëllim zgjedhjen e presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

E megjithatë partitë opozitare mbeten skeptike. Nga Partia Demokratike e Kosovës, deputeti Xhavit Haliti deklaron se përgjegjësia për mosarritjen e një marrëveshjeje bie mbi kryeministrin Kurti, duke theksuar se gjithçka varet nga vullneti i tij politik.

Edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deputetja Time Kadrijaj ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të takimeve, duke i cilësuar ato si përpjekje për zvarritje të procesit dhe jo për arritje të një zgjidhjeje konkrete.

Ndërkohë, më herët kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka deklaruar gatishmërinë për të ndihmuar në lehtësimin e procesit dhe arritjen e një marrëveshjeje politike.

Në këtë klimë tensionesh politike, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një konsensus për zgjedhjen e presidentit, apo nëse vendi mund të shkojë drejt një tjetër cikli zgjedhor.