Takime pa rezultat për presidentin e ri, Hoti: Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja
Skena politike në Kosovë mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit të ri duket se po hasin në një rrugë pa krye.
Gazetari Shkodran Hoti në një lidhje direkte nga Kosova në hapësirën “Për Shqiptarët” në “Ora News” bëri me dije se takimi i fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, edhe pse pjesë e një përpjekjeje për të gjetur një zgjidhje konsensuale, nuk ka sjellë asnjë rezultat konkret.
Hoti citoi burime pranë diskutimeve, të cilat sipas tij, tregojnë se situata aktuale është një përsëritje e bllokadave të mëparshme politike.
Pavarësisht se takimet po zhvillohen, nuk po diskutohet për një rrugëdalje të qartë nga kriza institucionale që i kanoset vendit.
Pas takimit të tij me Kurtin, vetë Abdixhiku deklaroi se “nuk ka asgjë të re”, por konfirmoi se bisedimet do të vazhdojnë, duke ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e këtyre tryezave në mungesë të sinjaleve për kompromis.
Koha po shteron me shpejtësi, pasi sipas Hotit 28 prilli është afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e kreut të shtetit. Dështimi për të arritur një marrëveshje deri në këtë datë do ta çonte vendin automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Ky skenar shihet me shqetësim nga gazetari Hoti, pasi zgjedhjet e reja nuk ofrojnë garanci për zgjidhjen e krizës. Një ripërsëritje e rezultatit të zgjedhjeve të shkurtit mund ta thellojë edhe më tej ngërçin politik, duke e lënë Kosovën pa institucione plotësisht funksionale, me një qeveri në detyrë dhe një Kuvend të shpërndarë.
Përgjegjësia kryesore, tha ai, për të zhbllokuar procesin bie mbi kryeministrin Kurti, por pa lëshime konkrete nga ana e tij, mbetet e paqartë se si mund të shmanget rreziku i një paralize të plotë institucionale.
NDIQNI BISEDËN E PLOTË ME GAZETARIN SHKODRAN HOTI NË HAPËSIRËN “PËR SHQIPTARËT”

