“Vetëm kërkova dokumentet në shqip”/ Dauti për incidentin në Komision: Kërkova barazinë time në një komision për mundësi të barabarta

Në një lidhje direkte në hapësirën “Për shqiptarët” në Ora News, e ftuar ishte Ilire Dauti, kryetare e Komisionit për organizimin e Kongresit në ASH.

Ajo foli për incidentin e ndodhur në Komisionin për Mundësi të Barabarta, ku kërkesa e saj për materiale në gjuhën shqipe u shoqërua me tensione.

Dauti tregoi se situata agravoi kur nga drejtimi i mbledhjes u përmend thirrja e sigurimit, vetëm për shkak të kërkesës për dokumente në shqip.

“Kërkova vetëm materialet në gjuhën shqipe dhe kjo mjaftoi që të krijohej tension dhe reagim i ashpër.”-tha ajo.

Sipas saj, rasti bëhet edhe më i rëndë për shkak se ndodhi në një komision ku po diskutohej për barazinë dhe të drejtat e grave.

“Në një komision për mundësi të barabarta, kërkova barazinë time dhe ndodhi ajo që pa gjithë opinioni.”-shtoi Dauti.

Dauti e lidhi këtë ngjarje me problemet e vazhdueshme në zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili sipas saj has shpesh pengesa në praktikë.

Ajo përmendi se edhe pse ligji është në fuqi prej vitesh, ka raste të përsëritura kur nuk zbatohet, ndërsa situata bëhet më e ndjeshme edhe për shkak të diskutimeve në Gjykatën Kushtetuese për disa nene të tij.

Sipas saj, incidenti nuk është rast i izoluar, por pjesë e një problemi më të gjerë që lidhet me respektimin e të drejtave gjuhësore.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: