Hoxha: Negociatat po ecin normalisht! Bashkëpunimi me Serbinë nuk cenon Kosovën. Për “Detin”, do t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se nuk ka asnjë bllokim apo ngrirje të procesit të negociatave, por është një proces që po zhvillohet normalisht.

Në një konference për shtyp, Hoxha bëri një shpjegim shterues të ecurisë së procesit të negociatave me Bashkimin Europian, duke i konsideruar pretendimet për bllokim të procesit si pjesë e diskursit politik.

“Nuk ka bllokim, ngrirje. Kjo është pjesë e dialogut dhe diskursit politik por nuk ka asnjë gjë të tillë. Ka një proces normal, racional, profesional dhe shumë kërkues. Është më kërkues për Shqipërinë se sa ka qenë për çdo vend që është futur në këtë rrugë para”, tha Hoxha.

Ndërkohë ministri sqaroi edhe pretendimet për mungesë transparence, duke theksuar se kjo ka të bëjë me pozicionet negociuese të Shqipërisë.

“Shqipëria për çdo hapje të grupkapitujve ka përgatitur pozicionin e vet negociues. Ky është një dokument i hartuar pas konsultimesh dhe një pune shumë serioze edhe në bashkëpunim me Komisionin Europian. Në vitin 2015 ne kemi miratuar një ligj ku përcaktohet se pozicioni negociues është i rezervuar. Kjo është respektuar dhe informacionet e rezervuara nuk bëhen publike”, sqaroi Hoxha.

Duke vijuar më tej, Hoxha theksoi se Komisioni Europian ka hartuar raportin të cilin ia ka dorëzuar Këshillit.

“Vende të ndryshme kanë qëndrime të ndryshme. Është absurde dhe nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vende anëtare të marrin një raport mbi gjendjen e një vendi dhe të mos bëjnë pyetje. Kjo periudhë pyetjesh mund të zgjasë nga 4 deri në 8 javë. Jemi ekzaktësisht në këtë proces”, tha Hoxha, ndërsa bëri të ditur se pyetjeve të vendeve anëtare i kthen përgjigje Komisioni Europian.

Hoxha theksoi se në këtë faze Shqipëria nuk është rreth tavolinës së negociatave pasi është vetëm KE që i jep përgjigje atyre pyetjeve.

“Duhet të kuptojmë natyrën e ushtrimit, kohën që kërkohet dhe faktin se ne jemi në pritje”, shtoi kryediplomati shqiptar.

Hoxha: Bashkëpunimi me Serbinë nuk cenon në asnjë milimetër interesat e Kosovës

Hoxha: Negociatat po ecin normalisht! Bashkëpunimi me Serbinë nuk

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë mbetet Kosova, ndërsa  bashkëpunimi me Serbinë nuk cenon në asnjë milimetër interesat e Kosovës.

Gjatë një konference për shtyp, Hoxha u shpreh se “mantra e politikës së jashtme të Shqipërisë është marrëdhënia e ngushtë, e vazhdueshme dhe e pakthyeshme me Kosovën”.

Kjo, sipas Hoxhës, nuk e përjashton që vendi të ketë marrëdhënie me vendet e tjera në rajon apo tjetërkund.

Hoxha kujtoi faktin se në vizitën e tij të parë në Beograd kryeministri Edi Rama artikuloi në shqip se “Shqipëria duhet të njohë Kosovën”.

“Ne do të bashkëpunojmë me Serbinë në mënyrat dhe format që gjykojmë të nevojshme për interesat tona, pa cenuar kurrë në asnjë milimetër interesat e Kosovës”, shtoi Hoxha.

Nga ana tjetër, Hoxha theksoi se “nuk kemi absolutisht asnjë lloj pajtueshmërie me Serbinë për sa i përket qasjeve, qëndrimit dhe pozicionit me Kosovën”.

“Artikulimet e kujtdo në Serbi në lidhje me Kosovën janë punë e tyre. Ne kemi marrëdhënien tonë të fortë, të pakthyeshme dhe me Kosovën, bëjmë mbledhje të përbashkëta dhe do të bashkëpunojmë me gjithçka. Do t’i japim çfarëdolloj ndihme të mundshme konkrete përfshirë, si kemi bërë me portin dhe me protokollin e bashkëpunimin në fushën ushtarake bashkë me Kroacinë, i cili nuk ka natyrë ofensive”, shtoi Hoxha.

"Për marrëveshjen e detit me Greqinë do t’i drejtohemi gjykatës ndërkombëtare"

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se Shqipëria dhe Greqia do të shkojnë në gjykatë ndërkombëtare, lidhur me marrëveshjen për detin.

Në një konferencë për shtyp, Hoxha theksoi se sot “gjendemi në situatën më pozitive në marrëdhëniet tona me Greqinë”.

“Gjykata ka vendosur dhe kjo nuk diskutohet. Pas asaj, është bërë një punë e jashtëzakonshme nga paraardhësit e mi. Kemi diskutuar në mënyrë të qenësishme me palën greke dhe sot gjendemi në situatën më pozitive në marrëdhëniet tona me Greqinë”, tha Hoxha.

Ministri siguroi se ka një dëshirë absolute të dyanshme në këtë drejtim. Ai kujtoi se për hapjen e kapitujve të negociatave duhej dakordësia e 27 vendeve, duke pasur edhe dakordësinë e Greqisë për të avancuar.

Kjo, sipas tij, “reflekton cilësinë e marrëdhënieve me Greqinë”.

Për çështjen e detit, Hoxha theksoi se është rënë dakord me Greqinë për t’iu drejtuar një gjykate ndërkombëtare.

“Për sa kohë që bëmë përpjekje për ta zgjidhur në mënyrë dypalëshe, nuk ia dolëm dot, atëherë do të shkojmë te pala e tretë e paanshme, gjykata ndërkombëtare. Fillimisht duhet të biem dakord në cilën gjykatë dhe në cilën kohë. Ky është ushtrimi më i ndershëm dhe në këtë pikë nuk ka asnjë dyshim. Kemi rënë dakord në parim”, shtoi ministri Hoxha. 

Qendra e pritjes në Shëngjin, angazhim në zbatimin e protokolleve ndërkombëtare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se qendra e pritjes e ngritur në Shëngjin në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë italiane është pjesë e marrëveshjes së njohur dhe të dakordësuar mes palëve.

I pyetur nga gazetarët lidhur me 20 qendrat e pritjes dhe flukset migratore për të cilat ato janë ngritur, ministri u shpreh se nuk ka një koment specifik për këto struktura, ndërsa theksoi se bashkëpunimi me Italinë në këtë drejtim është i bazuar në protokolle të njohura publikisht.

“Në rastin e protokollit të lidhur me palën italiane për qendrën në Shëngjin, këto janë gjëra të njohura. Shqipëria iu përgjigj një thirrjeje për ndihmë nga Italia dhe tregoi gatishmëri për të mbështetur një vend mik, që është gjithashtu një nga mbështetësit kryesorë të integrimit tonë në Bashkimin Evropian”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se zbatimi i protokolleve nuk ka hasur problematikë mes Shqipërisë dhe Italisë, duke theksuar se çdo zgjidhje e dakordësuar mes palëve mbetet e vlefshme dhe në funksion të bashkëpunimit dypalësh.

Në vijim, ministri u ndal edhe te përdorimi i Inteligjencës Artificiale në përkthimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, duke theksuar se kjo teknologji përdoret me kujdes dhe gjithmonë nën verifikimin e ekspertëve.

Sipas tij, përdorimi i AI sjell avantazhe në shpejtësi dhe efikasitet, por kërkon përgjegjësi të lartë, pasi gabimet në përkthime ligjore mund të kenë pasoja të rëndësishme. Ministri theksoi se asnjë proces nuk realizohet pa verifikim dhe certifikim nga ekspertët përkatës.

Ai shtoi gjithashtu se po punohet për integrimin e rreth 280 mijë faqeve të legjislacionit në një sistem të verifikuar përkthimi dhe se është miratuar një strategji kombëtare për Inteligjencën Artificiale, e cila do të zbatohet gradualisht në administratën publike gjatë këtij viti.